Në vazhdim të intervistës në “Prime” të RTK-së, kryetari i Nismës Socialdemokrate ka folur për të ardhmen e partisë që e drejton ai.
“Subjektet politike duhet ta përcjellin gjendjen në të cilën është Kosova. Përtej reformës, gjithçka duhet të jetë në interes të vendit. Në politikë përtej numërit, ka rëndësi se çka përfaqëson dhe kujt i flet. Gjuha, rezoni, përvoja jonë është që kjo frymë i duhet Kosovës. Pra Nisma si subjekt politik i duhet Kosovës”, ka thënë Limaj.
Ai tutje ka thënë se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për përvojën, për pjekurinë, për dituritë e mbledhura, për shkak se vendi ynë sfidohet çdo ditë.
“Nisma i mungon Parlamentit, këtë e thonë njerëzit tjerë, jo që po e them unë. Diskursi ynë politik ende i duhet vendit. Kuvendi ëshë kthyer në një vend monoton, jo në një arenë ku ballafaqohet idetë dhe argumentet. Është vetëm një zë, nuk ka argumente në Parlament. Nuk ka as kundërargumente. Shteti i Kosovës ka mijëra nevoja dhe një parti ka shumë pretendime. Në Kuvendin e Kosovës sot diskutohet për gjëra që nuk janë të rëndësishme për vendin. Një opozitë anemike dhe një pushtet i arrogancës”, ka thënë Limaj.
Kryetari i Nismës tutje ka thënë se në këtë situatë që është vendi mungojnë idetë kreative që i japin dimension tjetër diskursit publik.
“Angazhimi kryesor i Nismës është refleksioni. Ne vazhdojmë t’i mbrojmë politikat sociale dhe Kosova ka nevojë për një parti socialdemokrate moderne. Ngadalë shteti ynë duhet të fokusohet në tema sociale”, tha Limaj. /RTKLive/