LIMAJ: KAM PRITUR SEANCË TË JASHTËZAKONSHME KUR HELIKOPTERËT SERBË PREKËN KUFIJTË TANË

- in Lajme

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se futja e mjeteve luftarake ajrore brenda territorit të Kosovës ka qenë shkelje serioze.

Limaj ka thënë se ka pritur thirrje të parlamentit dhe seancë të jashtëzakonshme pas këtij veprimi nga Serbia.

“Kam pritur seancë të jashtëzakonshme kur helikopterët serbë prekën kufijtë tanë”, tha Limaj.

Ai ka thënë se ngjarje të tilla janë ngjarje të mëdha dhe shtetet merren seriozisht me cënimin e territorit të tyre ajror.

“Helikopterët serbë në territor tonin, është cenim i sigurisë së Kosovës. Avionët serbë erdhën në kufi, shtetet serioze merren me gjëra të tilla”, ka thënë ai.

Ndryshe, që prej vendosjes së masës së reciprocitetit për targat e Serbisë, më 20 shtator, tensionet janë rritur në veri të Kosovës, ku qytetarët serbë po kundërshtojnë këtë masë. Ata kanë bllokuar me makina dhe mjete të tjera rrugët që çojnë për në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi.

Më 25 shtator, dy incidente janë shënuar në dy komuna në veri të Kosovës. Në Zubin Potok është djegur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërkaq në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil. Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa këtyre dy incidenteve./Gazeta Express/