Më 7 dhjetor janë bërë plot 9 muaj prej kohës kur Avokati i Popullit e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese njërën nga ankesat që prek çështjen më të ndjeshme dhe numrin më të madh të njerëzve, direkt apo jo, Ligjin e Pagave për të punësuarit në sektorin publik, që financohet nga buxheti i shtetit.
Nga muaji shkurt i vitit 2024, nëpunësit civilë që u është ulur paga me këtë ligj, do të marrin si shtesë tranzitore vetëm 50% të shumës së pagës që u është hequr, shkruan Demokracia.com.
Andaj, nxjerrja e një Aktgjykimi nga Gjykata Kushtetuese mund të parandalojë dëmtimin e nëpunëse civilë që preken nga zbritja e pagës së tyre, pasi një nga shpresat e mëdha është që institucioni gardian i Kushtetutës nuk do të lejojë uljen e tyre.
Ligji për Pagat (neni 10) parasheh që pagat mund të ulen vetëm në rast të ndonjë tronditje makroekonomike, e cila rezulton me zvogëlimin e të ardhurave apo edhe për shkak të ndonjë fatkeqësie natyrore, sipas kuptimit të Kushtetutës së Kosovës (neni 131).
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat, në shkurt të vitit 2023, më shumë se 104 subjekte të ndryshme të sektorit publik i kishin deponuar ankesat e tyre te Avokati i Popullit, si një institucion që ka të drejtën kushtetuese për të kërkuar vlerësim nga Gjykata Kushtetuese për ndonjë ligj të caktuar.
Ankesat e dorëzuara te Avokati i Popullit vijnë nga sektorë të ndryshëm, sepse Qeveria Kurti me Ligjin për Pagat, në mijëra raste ka ndikuar në uljen e pagave, heqje shtesash apo trajtim joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcakuara me ligj.
Avokati i Popullit ka thënë se ligji që hyri në fuqi më 5 shkurt 2023, është zhvilluar në një “proces jotransparent” dhe nuk bart frymën e aktgjykimit të 2019-s, në kuptimin e “parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, në kuptimin e sundimit të ligjit, në veçanti parimin e barazisë para ligjit, si dhe në kuptimin e mbrojtjes të së drejtës së pronës së subjekteve në sektorin publik”.
“Avokati i Popullit, duke u bazuar në Aktgjykimin KO 219/19, sipas të cilit çdo ulje e pagave duhet të jetë e tillë që të mos e vërë barrën e shkurtimit të pagës vetëm te disa persona ose sektorë të caktuar të sektorit publik dhe se arsyet për ulje pagash duhet të jenë shumëfish më të qëndrueshme sesa arsyet për rritje pagash; nuk e konteston ligjin dhe shtojcat e tij në pjesët ku për sektorë të caktuar ka rritje pagash dhe ku është ndjekur një qëllim legjitim për rritje të tilla, por shpreh shqetësimin e tij për ulje pagash në mënyrë arbitrare, madje pa u plotësuar as kushtet e përcaktuara me vetë Ligjin e kontestuar, sipas të cilit pagat mund të ulen për shkak të një tronditjeje makroekonomike, e cila rezulton në zvogëlimin e të ardhurave, apo të një fatkeqësie natyrore, të shpallura zyrtarisht”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Sipas Avokatit të Popullit, neni 2, paragrafi 3; neni 6, paragrafi 6; neni 41, paragrafi 3 dhe paragrafi 4, të Ligjit të kontestuar, si dhe shtojcat e tij që kanë të bëjnë me Sistemin Gjyqësor, Sistemin Prokurorial, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Nëpunësit Publikë të Arsimit Universitar dhe Parauniversitar, Nëpunësit Publikë të Sistemit Shëndetësor, Kuvendin e Kosovës, Institucionet e Pavarura Kushtetuese, Ministri, Agjenci të Pavarura, Agjenci dhe Rregullator, Agjenci Ekzekutive dhe të Shërbimit Publik, Komunat, Zyra Kombëtare e Auditimit, Auditimi i Brendshëm nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese. / Demokracia.com /