Për shkak se Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD), dhe i akuzuari tjetër Fatos Sahiti kanë munguar në seancën e së mërkurës, ka dështuar sërish të nisë gjykimi në rastin ku ata ngarkohen për përleshjen fizike me deputetin e Vetëvendosjes, Haki Abazi, pas një debati televiziv më 2019. Ndaj Molliqajt dhe Sahitit, gjykata ka lëshuar urdhërarrest.
Në seancë mungoi edhe i dëmtuari Haki Abazi, për të cilin gjykatësja e rastit Vlora Pacolli-Rexhepi tha se gjykata ka pranuar një parashtresë, përmes së cilës Abazi ka njoftuar se është i angazhuar jashtë vendit dhe nuk mund të marrë pjesë në këtë seancë.
Në seancë të pranishëm ishin prokurori Arianit Salihu dhe përfaqësuesja e të dëmtuarit Abazi, avokatja Sadije Mjekiqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Molliqaj, gjykatësja Pacolli-Rexhepi tha se gjykata pas pranimit të raportit nga Policia e Kosovës se i njëjti nuk është i qasshëm në adresën e dhënë nga gjykata, më 1 qershor ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij, i cili do të mbetet aktiv për një vit.
Në këto rrethana, seanca u shty në kohë të pacaktuar.
Seanca e radhës do të vazhdojë çdo kohë pas zbatimit të urdhërarresteve të lëshuara nga gjykata.
Edhe seanca e paraparë për 1 qershor kishte dështuar për shkak se policia nuk e kishte zbatuar urdhrin e gjykatës për ta sjellë Dardan Molliqajn në seancë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”. /Koha.net