Çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohet për raste të shumta të dhunës në familje, ku zakonisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 në rrugën ‘Idriz Gjilani’ në Prishtinë, ku një grua ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit, ku ndodheshin ata dhe dy fëmijët e tyre të moshave 1-vjeçar dhe dy muajsh.
Gjithçka kishte filluar atëherë kur njëri nga fëmijët ka filluar të qajë dhe nëna është afruar që ta marrë në dorë, por që aty është përballur me bashkëshortin e saj i cili nuk e lejoi që ta merrte fëmijën në përkujdesje.
Sinjali mëson se gruaja 32-vjeçare është goditur me shuplaka në fytyrë nga i dyshuari, i cili i kishtë thënë ‘leje, mos e prek’ fëmijën që qante.
Por e gjithë drama nuk përfundoi me kaq, pasi që burri shkoi në një shkallë tjetër, ku kapi për dore bashkëshorten e tij dhe e dëboi nga banesa.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit, ku ndodhej edhe vëllai i viktimës, i cili është dëshmitar i rastit.
Pas denoncimit të gruas në Polici, që të dy përfunduan në Stacion Policor, ajo si viktimë e bashkëshorti i saj si i dyshuar, ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Burri 39-vjeçar ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.
Kujtojmë se janë të shumta rastet në Kosovë, ku raportimet e grave për dhunë në familje kanë hasur në vesh të shurdhër nga organet kompetente dhe si pasojë e kësaj, dhjetëra raste të dhunës në familje kanë përfunduar me fatalitet.
/GazetaSinjali/