Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një reagimi kanë thënë se pas Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, edhe Organizata Amerikane “Freedom House” në raportin e vitit 2024 përmend korrupsionin qeveritar, që sipas tyre “Vazhdon të jetë shqetësim SERIOZ në Kosovë”.
Sipas tyre, nga gjithsej 7 pikë në luftën kundër korrupsionit, Kosova është vlerësuar me vetëm 2.25. Kjo thuhet se dëshmon edhe njëherë se korrupsioni gjatë kësaj qeverie nuk është luftuar.
Tutje thuhet se LDK raportin e Freedom House njëjtë si atë të Departamentit Amerikan të Shtetit, e konsideron shqetësues, për arsye se shumë problematika të cilat janë ngritur në këto raporte, vet LDK i ka diskutuar dhe ka ndërmarrë veprime konkrete për t’i zbardhur aferat korruptive.
“Në këtë raport përmendet ndër të tjera skandali i Ministrisë së Tregtisë për rezervat shtetërore, për të cilat Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur zërin në Kuvend dhe kërkuar themelimin e Komisionit Hetimor lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore. Por për zbardhjen e këtij skandali nuk pati vullnet nga deputetët e pozitës, dhe sot këtë skandal e ke pjesë të raportit. Pra, të gjithë e kanë kuptuar se qeveria bën propagandë, por nuk e lufton korrupsionin. “Vet qeveria u përballë me një skandal korrupsioni në vitin 2023, që përfshinte rezerva shtetërore të pallogaritura, të cilat janë ende nën hetim” – shkruan Freedom House për rezervat shtetërore”, thuhet në reagim.
Derisa më tej theksohet se Lidhja Demokratike e Kosovës, do të vazhdojë të mbrojë paranë publike, e cila sipas tyre, po keqpërdoret nga korrupsioni instalues i Qeverisë.
“Përderisa do të shfrytëzohen edhe institucionet që personat të cilët kanë bërë vepra të tilla, të dalin para drejtësisë”, thuhet tutje./Demokracia