Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur kërcenim reagimin e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani karshi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në partinë e Isa Mustafës thonë se deklarata e Osmanit është shkelje e kushtetueses dhe ndërhyrje flagrante në punën e KQZ-së.
Kandidatja e LDK-së për deputete, njëherësh zëdhënësja e shtabit zgjedhor, Ardita Dushi përmes një konference për medie të dielen tha se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin më.
Fjala e plotë:
Dje është kërcënuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky është institucion i pavaruar që nuk guxon të cenohet në punën e tij.
Ky institucion është kërcënuar nga ata që janë të obliguar sipas Kushtetutës të sigurojnë funksionim të pavarur dhe kushtetues të këtij institucioni.
Ky kërcënim është shkelje kushtetuese, për dy arsye:
• E para, është ndërhyrje në punën e KQZ-së, dhe
• E dyta, është tentim për favorizim të një grupi politik.
Është hera e parë në Kosovë që nga viti 1999 që ndodh një kërcënim i tillë dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e punës së KQZ-së.
Kosova ka krijuar traditë të respektimit të vendimeve të institucioneve të pavarura dhe të Gjykatës Kushtetuese.
Nuk guxojmë të lejojmë që tash në vitin 2021 të kemi precedentë të tillë.
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet e pavarura dhe nga KQZ-së, që të mos ndikohen nga kërcënimet, pavarësisht se nga kush vijnë ato kërcënime.
I garantojmë qytetarët e Kosovës se këto kërcënime dhe fushata e linçimeve publike, do të marrin fund më 14 shkurti, kur sovrani me votën e lirë do të refuzojë praktikat jodemokratike të kërcënimit dhe shantazhimit.
Lidhja Demokratike e Kosovës i garanton qytetarët e Kosovës se vullneti i tyre i lirë nuk do të mund të ndryshohet nga kërcënimet dhe linçimet.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk lejon që të nëpërkëmbën institucionet shtetërore. Shteti duhet respektuar në plotninë e tij.
Shteti është shtet dhe duhet të ruhet, sepse është i shenjtë.
Këtë iu kemi borxh gjeneratave që kanë sakrifikuar për shtet. Këtë iu kemi borxh gjeneratave të ardhshme, të cilët duhet të trashëgojnë një shtet demokratik./RTK