LDK AKUZON VITINË SE I KOPJOI PROJEKTET E PËRPARIM RAMËS PËR PRISHTINËN

- in Lajme

Shefi i shtabit te LDK-së për Prishtinën, Alban Zogaj, ka akuzuar kandidatin e LVV-së për garën e kryeqytetit – Arben Vitia, se e ka kopjuar projektin qeverisës të kandidatit të LDK-së – Përparim Rama.

 

Në një konferencë për media, Zogaj u shpreh se për ta kjo është e paprecedentë dhe shqetësuese.

“Përparim Rama ka kohë që e ka shpalosur projektin e tij për Prishtinën, projekte që i ka vizuelizuar dhe paraqitur para publikut përgjatë muajve të fundit, në parafushatë dhe fushatën zyrtare dhe janë publike në mediat e platformat tona. Ajo çka kemi parë mbrëmë ne botimin e programit të zotit Vitia është vjedhje e së drejtës së autorit dhe plagjiat i projekteve të Përparim Ramës. Dhe kjo përveç se është jo etike, është edhe e dënueshme me ligj”.

Si shembuj që e ilustrojnë këtë plagjiaturë u prezantua platforma që do të ndërlidhë lagjet e Prishtinës me qendrën, projekti i parkingjeve dhe ai i  prioritizimit të qytetarëve në qytet e që e vendos veturën si e treta për nga prioriteti.

“Arkitekti dhe urbanisti Rama i ka hyrë garës së Prishtinës për ta transformuar atë dhe për t’ia kthyer jetën qytetit e fshatrave të Komunës së Prishtinës. Deri më sot s’jemi marr asnjëherë me kundërkandidatët e Ramës, por sot nuk mund të heshtim para një akti të tillë të ulët me të cilin synohen të mashtrohen qytetarët e Prishtinës. E themi me kompetencë të plotë se asnjeri nga kundërkandidatët e Përparim Ramës s’ka as aftësi e as vizion për ta transformuar kryeqytetin tonë”, deklaroi Zogaj i LDK-së.