I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me dy këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin nesër.
Qëllim i kësaj vizite është “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Gjatë vizitës janë të planifikuara takime të ndara me kryeministrin [e Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq”, konfirmoi Stano.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan ditë më herët se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.