Ky është i dyshuari për therjen me thikë të 47-vjeçarit në Mitrovicë, dërgohet në paraburgim

- in Lajme

Pas dy ditësh në arrati, Policia ka arritur ta arrestojë dje personin që dyshohet për incidentin me thikë që ndodhi të dielën në Mitrovicë, ku një 47-vjeçar u plagos dhe pësoi lëndime të rënda. Për motive akoma të panjohura, viktima u sulmua në qendër të qytetit nga i dyshuari, i cili ka dalë sot para Gjykatës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Visar Isufi, 25-vjeçar, ndaj të cilit është bërë edhe kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe si rezultat i dyshuari është dërguar në paraburgim, në kohëzgjatje prej një muaji.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka therur me thikë 47-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë të rënda trupore. I njëjti ishte dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë pasi fillimisht ia kanë dhënë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/