Gazeta Sinjali raportoi sot për një vjedhje që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në marketin “Viva Fresh”, në rrugën “Muharrem Fejza”, në Prishtinë, ku një 30-vjeçar, recidivist i dhjetëra veprave të ndryshme penale, u kap në flagrancë duke vjedhur kaçkavall.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë, kanë bërë me dije se personi që u arrestua si i dyshuar për këtë rast është Erden Bahtijari , i cili u ndalua për 48 orë me aktvendim të Prokurorit të Shtetit.
Por, si ndodhi rasti dhe si u kap i dyshuari?
Sinjali mëson se në këtë rast, që ndodhi në orët e pasditës, i dyshuari u kap në flagrancë, pasi u vërejt nga kamerat e sigurisë duke vjedhur një sasi të kaçkavallit, që vlerësohet të kushtojë me dhjetëra euro.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur, se Policia iu është pergjigjur rastit menjëherë pasi u njoftua nga marketi dhe kështu kanë arrestuar të dyshuarin. I njëjti, më pas është dërguar në stacion policor për t’u përballur me veprën për të cilën ngarkohet.
Edhe këtë herë, Policia kishte të bënte me një hajn recidivist (përsëritës i veprës) i cili ka rreth 30 vepra të ndryshme penale, në sirtarët e Policisë.
Për shkak të veprave të ndryshme penale që ka kryer, por edhe informacioneve të grumbulluara se si janë kryer ato, i dyshuari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë.
Kujtojmë se kohëve të fundit është rritur numri i rasteve të vjedhjeve, që janë raportuar nga marketet e ndryshme në Kosovë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Gazetasinjali