Arrestohet një 47-vjeçari në rrugën “Vëllezërit Dragaj”, në Mitrovicë, i cili u denoncua për dhunë në familje, por Policia i gjeti edhe drogë. Burimet e Sinjalit nga Prokurorisë kanë bërë të ditur se personi i cili u kap pasi në shtëpinë e tij u gjetën narkotikë është Lavdim Mustafa.
Policia e zbuloi kokainën në shtëpinë e të dyshuarit gjatë mbledhjes së informacioneve për një rast të dhunës në familje, ku i dyshuari ishte 47-vjeçar.
Pas kontrollimit të shtëpisë së të dyshuarit nga ana e zyrtarëve policorë, është gjetur një sasi e substancës narkotike, e llojit kokainë, e cila është konfiskuar, ndërkohë që i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.
Burri nga Mitrovica, i cili u denoncua fillimisht për dhunë në familje, tashmë do të hetohet edhe për veprën penale të posedimit të paautorizuar të narkotikëve.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin prej 48 orësh.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/Gazetasinjali/