Ky është burri 54-vjeçar që dyshohet se sulmoi seksualisht një vajzë në autobus, ndalohet për 48 orë

- in Lajme

Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të trishtë që i ndodhi një 20-vjeçareje, në një autobus që po lëvizte nga Istogu në drejtim të Prishtinës, ku u sulmua seksualisht nga një burrë 45-vjeçar. I dyshuari përveç që e sulmoi seksualisht, edhe e kërcënoi vajzën, pasi ajo reagoi për veprimet e tij. Nën dyshimet se ka kryer dy vepra penale, Prokurori i Shtetit e ndaloi të njëjtin për 48 orë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se personi që ra në prangat e Policisë si i dyshuar për këtë rast është Emin Xhosha, i cili tashmë ndodhet në mbajtje dhe mbi të rëndon dyshimi për veprat penale “sulm seksual” dhe “kanosje”.

Por si ndodhi ky rast, ku viktimë ishte një vajzë e cila u trishtua nga 45-vjeçari?

Siç raportoi Sinjali pak më parë, ngjarja ka ndodhur dje rreth orëve të mesditës, kur derisa autobusi i një kompanie (emër i njohur për redaksinë), ishte rrugës për në Prishtinë, për një moment nisën britmat e kërcënimet. Situata u tensionua në autobus, pasi njëri nga udhëtarët dyshohet se e sulmoi seksualisht vajzën, e cila ishte e ulur afër tij.

Në dëshminë e viktimës të dhënë në Polici, thuhet se i dyshuari kishte ndërruar disa herë ulëset në autobus, në mënyrë që të afrohej në vendin ku ishte ulur vajza. Pas disa tentativave, ai ia arriti të ulej afër 20-vjeçares dhe pa një pa dy, ia mësyu duke e prekur me duar në gjoks. Ky veprim shkaktoi shqetësim të madh te vajza, e cila iu ka kthyer me fjalët “qëndro si njeri, a je normal”.

Por kjo siç duket e revoltoi burrin e dyshuar, që meqë nuk e arriti qëllimin e tij, nisi me kërcënime, duke iu drejtuar vajzës “mshele more gojën, mos fol”.

Kjo situata alarmoi udhëtarët që ndodheshin në autobus, për çka u nevojit ndërhyrja e tyre, para se të eskalonte situata në ndonjë përleshje fizike.

Lidhur me këtë rast, burimet e Sinjalit thonë se përveç të të dyshuarit, Policia ka intervistuar edhe disa dëshmitarë që ishin në autobus në momentin kur ndodhi rasti.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazetasinjali/