Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për arrestimin e një 50-vjeçari në Prishtinë, i cili u kap dje nga Policia, pasi u denoncua se ia mori një qytetarit rreth 900 euro dhe nuk ia rregulloi veturën siç ishin marrë vesh. Si rezultat i denoncimit, ai përfundoi në ndalim policor dhe dyshohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Vegim Vuçiternën, i cili u raportua në Polici nga një qytetar, i cili po pretendon se i njëjti e ka mashtruar duke ia marrë paratë, të cilët nuk ia ktheu më.
Rasti ka ndodhur para 8 muajsh, por qytetari vendosi tek dje ta raportojë në Polici, ku ka deklaruar se Vuçiterna e ka shkelur marrëveshjen që e kanë bërë për rregullimin e veturës dhe e ka mashtruar.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në veprim dhe ka prangosur të dyshuarin, i cili pas intervistimit, është dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të prokurorit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/