Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër për miratimin e rishikimit të buxhetit dhe vazhdimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara. Ndërsa, të hënën e javës së ardhshme do të mbahet seanca e rregullt, ku do të debatohet edhe për raportin 100-ditorë të Qeverisë Kurti.
Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se nesër presin që të miratohet rishikimi i buxhetit, i cili sipas saj ofron mundësinë për pakon ekonomike për bizneset dhe gjitha kategoritë tjera.
Kusari-Lila: Nesër presim të miratohet rishikimi i buxhetit
“Përveç takimit të nesërm të datës 28 korrik, në të cilën mblidhen Kuvendi i Kosovës me një pikë për rishikimin e buxhetit. Kryesia u dakordua që nesër të vazhdohet edhe me pikat e mbetura nga seancat e mëparshëm. Do të thotë nesër nga ora 14:00 vazhdojmë gjithashtu për t’i shqyrtuar pikat e papërfunduara të seancave plenare të mbajtura me 16, 17 dhe 21 korrik. Ndërsa seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë ditën e hënë, më datë 2 gusht. Nesër presim të miratohet rishikimi i buxhetit nga i cili është një domosdoshmëri për të ofruar mundësinë e pakos ekonomike për bizneset dhe gjitha kategoritë që presin ndihmën e drejtpërdrejtë nga shteti dhe Qeveria e Kosovës”, tha Kusari-Lila.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se me kërkesë të tyre, në seancën e rregullt do të diskutohet për 100-ditëshin e Qeverisë Kurti. Sipas tij, kjo është hera e parë që Qeveria nuk e procedon në Kuvend debatin për 100-ditëshin, teksa edhe e quan të ngathët punën e saj.
Tahiri: Me kërkesën tonë do të debatohet në Kuvend për 100-ditëshin e Qeverisë Kurti
“Është hera e parë kryeministri i Kosovës thjesht e publikon raportin në ueb faqe, por nuk e procedon për debat në Kuvendin e Kosovës. Kjo është një thyerje e rregulltave dhe traditave të Kosovës, këto praktika parlamentare nuk është që thjeshtë zbatohen në vendin tonë, por gjithandej ku ka demokraci parlamentare…. E kemi pritur për 1 muaj prej kohës kur ka kaluar 100-ditëshi i kësaj qeverie dhe kemi pritur që të procedojnë në Kuvendin e Kosovës këtë raport, pasi nuk është bërë e njëjta. Ne kemi bërë kërkesën që ky raport të debatohet në seancën e radhës”, tha ai.
Në këtë drejtim, Tahiri përsëriti edhe qëndrimin e PDK-së për rishikimin e buxhetit, ku tha se nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve./KP