Kuvendi i Shqipërisë do ta votojë sot rezolutën kundër pretendimeve të Dick Martyt

- in Lajme

Kuvendi i Shqipërisë sot pritet ta votojë një “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.

Në propozimin për rezolutë të cilën e kanë iniciuar deputetët e PS-së thuhet se PS beson se do të ketë  “mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë” dhe se me këtë projekt rezolutë synohet të vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.

Në tekstin e projekt-rezolutës që pritet të votohet thuhet se hetimet e thelluara rreth pohimeve të Dick Martyt për trafikim organesh mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara, prandaj theksohet se të tilla duhet të konsiderohen edhe nga ndërkombëtarët.

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e  Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare”, thuhet ndër tjerash në projekt-rezolutë.

Një ditë më parë kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla tha se dita e sotme do të jetë një ditë solemne për Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa ka ftuar dhe opozitën të marrë pjesë.

Balla ka thënë se Partia Socialiste e ka iniciuar atë mbi bazën e parimit se gjithçka duhet të hetohet.

/GazetaSinjali/