Kush janë personat që u paraqitën si viktima të Thaçit e të tjerëve dhe çfarë i thanë ata Speciales

- in Lajme

Prokuroria e Specializuar në Hagë i ka shtuar disa krime të prenduara në Suharekë dhe Gjilan në aktakuzën e re, të ndryshuar, kundër Thaçit dhe të tjerëve. 12 persona tashmë janë paraqitur si viktima.

Gjykata Speciale i ka pranuar aplikimet edhe të 12 personave, të cilët do të paraqiten si viktima në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Këta persona pretendojnë se ishin viktima të Thaçit dhe të tjerëve në krimet e pretenduara nga Prokuroria, që së fundi Zyra e Prokurorit të Specializuar i përfshiu në aktakuzën e re, të ndryshuar, të dorëzuar në gjykatë në fund të prillit.

“Viktima 21/06 është viktimë e drejtpërdrejtë e persekutimit, burgimit/ilegal, arrestimit dhe ndalimit arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor dhe torturës, gjoja e kryer në [REDAKTUAR]”. Kështu përshkruhet një prej personave të paraqitur.

Tre persona tjerë, përshkruhen si viktima, por gjithnjë ka disa pjesë të cilat gjykata i ka fshehur.

“Viktimat 44/06, 45/06, 46/06 dhe 47/06 janë viktima indirekte të persekutimit dhe burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, gjoja nga [REDAKTUAR] kundër një anëtari të ngushtë të familjes”, thuhet në vendimin e tretë të gjyqtarit Nicolas Guillou për pjesëmarrjen e viktimave.

Një tjetër person, përshkruhet si familjar i një personi që në aktakuzën e ndryshuar pretendohet se bashkë me të është ndaluar dhe është trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Personi i paraqitur cilësohet si “viktimë direkte dhe indirekte”.

“Viktima 54/06 është viktimë direkte dhe indirekte e burgimit të paligjshëm ose arrestimit dhe ndalimit arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, gjoja të kryer në [REDAKTUAR] kundër tij dhe një anëtari i ngushtë i familjes i cili përmendet si viktimë në Aktakuzën e ndryshuar”, thuhet në vendim.

Pesë persona që janë paraqitur si viktima të Thaçit dhe të tjerëve, cilësohen si “viktima indirekte”.

“Viktimat 55/06, 56/06 dhe 57/06 janë viktima indirekte të burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor, torturës, vrasjeve dhe, në rastin e viktimës 56/06, gjithashtu zhdukje me forcë, gjoja e kryer në [REDAKTUAR] dhe në [REDAKTUAR], kundër anëtarëve të ngushtë të familjes që janë përmendur në Aktakuzën e ndryshuar dhe Viktimat 58/06 dhe 59/06 janë viktima indirekte të persekutimit, burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor dhe torturës, gjoja të kryera në [REDAKTUAR] kundër një anëtari të afërt të familjes”, thuhet në vendimin për paraqitjen e viktimave.

Në dokumentin e publikuar nga Gjykata, përshkruhen edhe dëmet që thuhet se i kanë pësuar personat që janë paraqitur si viktima.

“Viktima 21/06 ka pësuar lëndime fizike (plagë), lëndime mendore (humbje të kujtesës, sulme të panikut dhe ankthit të gjumit) dhe dëmtime materiale, si rezultat direkt i paraburgimit dhe keqtrajtimit të tij të supozuar”, thuhet në dokument.

“Viktimat 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 55/06, 56/06, 57/06 dhe 58/06
kanë pësuar dëmtim mendor (trauma psikologjike, humbje emocionale
dhimbje, depresion, frikë, ankth, stres dhe pagjumësi)”, thuhet tutje në vendimin e Guillou.

Një person thuhet se ka pësuar plagë të rënda.

“Viktima 54/06 ka pësuar lëndime fizike (plagë të rënda, brinjë të thyera, dhimbje fizike dhe dhimbje koke), si dhe dëmtim mendor (trauma, stres, frikë dhe probleme me gjumin)”, thuhet ndër tjerash në dokument.

Këta persona të paraqitur si viktima është rekomanduar që të identiteti i tyre të mos zbulohet për publikun, të akuzuarit dhe avokatët.

Mbrojtja e Kadri Veselit e ka kundërshtuar këtë rekomandim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në fund të prillit e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të prentenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./GazetaExpress