Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kthyer në Kosovë, e me kthimin e tij kanë gjetur kthim edhe fjalët interesante që dëgjojmë prej tij. Kurti ka përmendur një emër e një mbiemër për të justifikuar mungesën e takimeve të rëndësishme në SHBA, ku qëndroi për më shumë se dy javë. Kush është ky emër e mbiemër?
Takimi më i rëndësishëm i kryeministrit Kurti në SHBA ishte me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare në administratën Biden, Jack Sullivanin.
Duke u arsyetuar për një gjë të tillë, Kurti u shpreh si vijon:
“Në ndërhyrjen e NATO-s për ta ndalë gjenocidin në Kosovë kemi pasur katër figura të jashtëzakonshme politike në SHBA, presidentin Clinton, Sekretaren Albright, Gjeneralin Clark dhe zëdhënësin James Rubin, por prapa tyre ka qenë Këshilltari për Siguri Kombëtare, Sandy Berger, e tash në vend të tij e kemi këshilltarin Jake Sullivan, i cili është një person shumë i informuar dhe i mprehtë dhe takimi me të ishte i një rëndësi tejet të veçantë”, tha Kurti.
Pra, mund ta shihni ndërlidhjen që bën Kurti në këtë rast. Sandy Berger ishte Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në administratën Clinton dhe ishte i rëndësishëm, e prandaj Jack Sullivan që është Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në administratën Biden është po ashtu i rëndësishëm.
Por, kush është në të vërtetë Sandy Berger?
Ana e ndritshme
Natyrisht, edhe pozita e tij në administratë përcakton që ai ishte dukshëm më i parëndësishëm se të lartpërmendurit.
Në një artikull të botuar në The Washington Post më 16 maj të vitit 1999, tregohet se si ai kishte qenë fillimisht hezitues ndaj bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi.
“Më kujtohet që më tha një herë, ‘A do të bombardojmë mbi Kosovën? A mund ta shpjegoj këtë gjë para Kongresit? Do të na vrasin”, kujtonte një zyrtar i lartë amerikan, koleg i Bergerit.
Por, duke parë se si Millosheviqi po shmangte vazhdimisht diplomacinë, Bergeri në fund do të bindej që të mbështeste intervenimin ushtarak që i dha Kosovës lirinë, e më vonë edhe Pavarësinë.
Në këtë artikull tregohet se si Këshilli i Sigurisë Kombëtare me kalimin e kohës ishte bërë më i rëndësishmi në operacionet për Kosovën.
“Politika për Kosovën po artikulohet nga sekretarja e shtetit (Albright), por po udhëhiqet nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC)”, kishte thënë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, në një artikull të shkruar në The Atlantic, po ashtu i jepen meritat që meriton të ndjerit Sandy Berger.
“Tony Blair-it i jepen shumë merita për Kosovën, por Blair-i nuk e bindi Clintonin. Ata në fakt ishin bashkë në vendosmërinë për ta ndaluar që një gjë të tillë të ndodhte. Ai ishte i fortë si guri. Kishim një fushatë 78-ditore bombardimesh në Kosovë, të cilën askush përveç Bill Clintonit, Sandy Bergerit, Madeleine Albrightit, Bill Cohenit dhe partnerëve të tyre nuk besuan që do të mund të funksiononte.”
Ana e pandritshme
Sandy Berger fatkeqësisht ka vdekur më 2 dhjetor të vitit 2015 në moshën 70 vjeçare. Ai detyrën e Këshilltarit për Siguri Kombëtare e kreu prej vitit 1997 e deri në vitin 2001.
Në nëntorin e vitit 1997, ai kishte marrë një gjobë prej 23 mijë dollarësh, për shkak të një akuze për konflikt interesi. Shtëpia e Bardhë e kishte udhëzuar që t’i shiste disa aksione në një korporatë qysh në vitin 1994, gjë të cilën nuk e kishte bërë.
Përveç kësaj, në vitin 1999 ai ishte kritikuar për shkak se kishte dështuar që ta informonte presidentin Bill Clinton se Kina kishte arritur të merrte modelet e një numri të kokave luftarake amerikane.
Edhe pse e kishte marrë informacionin e spiunazhit nga Departamenti i Energjisë në prillin 1996, ai nuk kishte informuar presidentin Clinton deri në korrikun e vitit 1997.
Një numër i madh republikanësh i kishin kërkuar qysh në atë kohë dorëheqjen.
Dhe akuza më serioze ishte heqja e paautorizuar dhe shkatërrimi i materialit të klasifikuar.
Është natyrisht e vështirë të thuhet se Sandy Berger ishte prapa Clintonit, Albrightit, Clarke-ut e Rubinit siç tha kryeministri Kurti, por është e rëndësishme të shfrytëzohet rasti për t’i njohur kontributin në rastin e Kosovës./Nacionale