Kusari-Lila i quan trillime deklarimet e PDK-së për pazare me deputeten Adelina Grainca

- in Lajme

Ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ia ka quajtur trillime deklaratat e Partisë Demokratike të Kosovës, se LVV ka bërë pazare me deputeten Adelina Grainca dhe familjarët e saj për të votuar Vjosa Osmanin presidente.

Ajo ka mohuar se kanë bërë pazare edhe me deputetin nga pakicat jo serbe Adem Hoxha, i cili sot ka votuar për zgjedhjen e presidentes së Kosovës.

Kusari tha se asnjë deputetë nuk i është bashkangjitur LVV-së me shpërblime apo me premtime, derisa tha se secili deputet përfaqëson vullnetin e vet.

Kusari: Po mundohem me e kuptua por assesi t’i arsyetojë trillimet që i ka lëshuar PDK

“Po mundohem me e kuptua por assesi ta arsyetojë trillimet që i ka lëshuar PDK në raport me deputeten e deritashme, por ajo çka më duhet të them është që së pari secili deputetë përfaqëson vullnetin e vet. Para meje këtu ishte deputetja Reshitaj në të njëjtën formë edhe ajo prezantojë një qëndrim të saj për zgjedhjen e presidentes, njëjtë edhe deputetja më e re e Kuvendit të Republikës e kishte bindjen e saj se duhet të mbështetet Vjosa Osmani-Sadriu për presidente dhe se rrugëtimi i saj nuk mund të vazhdojë më në PDK. Tjera ngjyrime nuk do i kisha vënë, po më duhet të them se asnjë deputetë nuk ka kaluar ose asnjë person nuk i është bashkangjitur Grupit Parlamentar të LVV-së me shpërblime apo me premtime të cilat më së paku janë ligjore e natyrisht aspak nuk janë të moralshme apo të ndershme”, tha ajo.

Kusari ka mohuar se kanë bërë pazare edhe deputetin Adem Hoxha, teksa nuk është përgjigjur në pyetjen se a do të emërohet ai zëvendësministër në qeverinë Kurti.

Kusari: Nuk bëmë pazare me deputetin Adem Hoxha

“Jo, absolutisht. Unë e thash edhe më herët që në krejt këtë mua më vjen mirë që deputetët e Kuvendit të Kosovës shprehen vullnetin e tyre 82 deputetë morën pjesë në proces të votimit, më shumë se 2/3. Andaj në këtë ditë feste nuk kisha dashur të diskutojë tani më detaje të cilat do të mbesin pjesë e të kaluarës, por gjithsesi që e shënuan një fillim të ri”, tha ajo.

Ajo është shprehur e lumtur që sot është përmbyllur procesi i votimit të presidentes së re të Kosovës Vjosa Osmani, teksa tha se zgjedhja e një gruaje në krye të shtetit jep edhe një shembull për vajzat dhe gratë e vendit.
Kusari: Kjo ditë do të mbetet përgjithmonë historike

“Jam shumë e lumtur sot që arritëm të përmbyllim një proces të filluar vite më parë, por gjithsesi një proces i cili prezanton dhe përfaqëson mënyrën më të mirë të mundshme vlerën e demokracisë, përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve të Republikës në zgjedhjen e presidentes së vendit, por gjithashtu edhe qeverisë dhe Kuvendit që ata e votuan dhe i besuan. Kjo ditë do të mbetet përgjithmonë historike për arsye se më së miri përfaqësojë atë çfarë qytetarët duan, më së miri tregoi se rruga për te ndryshimi mund të mos jetë e lehtë, por nuk është e pamundur dhe më së miri e tregoi identitetin e politikës së re kosovare, politikë e cila është e bazuar tërësisht në përfaqësimin e barabartë dhe natyrisht e mbi të gjitha e tregoi edhe ndryshimin e madh që arritëm ta bëjmë, të bëjmë një grua presidente e cila vjen si gruaja më e votuar në historinë e Kosovës dhe e cila në një rrugëtim të gjatë politik jep një shembull vajzave dhe grave në këtë vend se rruga e vështirë ja vlen të ndiqet”, tha ajo.

Ndërsa, e pyetur se a do të bëhet deputetja e AAK-së Albena Reshitaj pjesë e Grupit Parlamentar të LVV-së, Kusari tha se për këtë duhet pyetur vet ajo./KP