Gati tri javë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zgjedhur dy senatorët amerikanë që të prezantojë formulën e tij kushtëzuese që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të ketë edhe një shans për të pasur sukses.
Në mënyrë që të arrihet kjo, Kurti u ka thënë dy amerikanëve se janë një varg hapash që duhet të ndërmerren, e në mesin e tyre duhet të përfshihet edhe dënimi për shkeljen e planit franko-gjerman apo Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksi i Ohrit (18 mars 2023), shkruan Demokracia.com.
“Njoftova po ashtu senatorët se dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë thuajse nuk ka ndodhur asgjë, nuk mund të vazhdojmë punën këtë status quo edhe më tutje. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese e agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses dhe besoj se është tepër e rëndësishme të kemi një qasje të balancuar, përfshirë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë dhe aneksit për zbatim ë Ohrit”, ka bërë të ditur kryeministri Kurti të premtën e 13 tetorit 2023.
Sulmi terrorist mbi Republikën e Kosovës nga një grup serbësh, që shumë prej tyre u lanë të arratiseshin në Serbi, ka krijuar një momentum të ri politik e të fuqishëm për pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë.
Një ide që të kushtëzohet rikthimi në dialogun me Serbinë është prezantuar edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila më 5 tetor 2023 gjatë kohës sa mbahej Samiti i Granadas në Spanjë, refuzoi një takim të mundshëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Së pari sanksione [për Serbinë], pastaj dialogu”, kishtë thënë presidentja Osmani.
Por, më 10 tetor 2023, ky kushtëzim është hedhur poshtë publikisht nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dhe kur bëhet fjalë për këto të ashtuquajtura kushte për t’u kthyer në dialog, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë ishin shumë të qartë: dialogu duhet të vazhdojë, të dyja palët duhet të kthehen në dialog. Pikë”, ka thënë me gjuhë të prerë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Menjëherë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë dënuar fuqishëm këtë sulm dhe që i kanë dhënë mbështetje të madhe Republikës së Kosovës, kanë ftuar të dy palët të kthehen në dialogun që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
“Sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës në afërsi të Manastirit të Banjskës janë të papranueshme. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet që të shkaktojnë tensione të mëtutjeshme dhe të rikthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, theksonte Sekretari Amerikan, Antony Blinken më 25 shtator 2023. / Demokracia.com /