Kryeministri Albin Kurti ka pasur të hënën agjendë të ngjeshur ditore pas kthimit në Kosovë, nga vizita gati dyjavore në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë e Itali.
Qysh në orën 08:00 të mëngjesit, Kurti i shoqëruar nga ministri Liburn Aliu kanë vizituar vendpunimet e rrugës Prishtinë – Mitrovicë, në fshatin Lumadh të Vushtrrisë. Një projekt që u tha se ka rifilluar, pas parregullsive e zvarritjeve të gjata.
Më pas, nga ora 09:00, ai ka qenë folës në hapje të Konferencës “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES) dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës. Kjo konferencë është mbajtur në hotel “Sirius” në Prishtinë.
Orën 10:00, ai e ka pasur “të rezervuar” për ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), bashkë me të cilën ka inaguruar Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Ngjarja është mbajtur në Kampusin e Fakulteteve Teknike, në Prishtinë.
E pas dreke, kryeministri Kurti do të jetë pjesë e ceremonisë zyrtare me rastin e funksionalizimit të Tregut për Zonën Ofertuese të Kosovës dhe Bashkimit të Tregjeve të Energjisë Elektrike Kosovë-Shqipëri. Ngjarja e organizuar nga Operatori i Sistemit Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) mbahet nga ora 13:30 në hotel “Emerald”, në dalje të Prishtinës.
Aq të zënë e ka pasur agjendën e ditës së parë pas kthimit nga vizita e gjatë jashtë vendit, saqë Kurti nuk ka pasur kohë as të flasë për mediet. “Në ora 11:00 më ka filluar takimi, e unë s’jam aty. A po kuptoni”, u shpreh Kurti, sikur shihet në pamjet e Ekonomia Online.
Zyra e Kryeministrit kishte njoftuar më 23 shkurt se Kurti ka udhëtuar për në Londër të Mbretërisë së Bashkuar. Atje, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024 të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Pas Londrës, ai kishte vazhduar për në Dublin e Belfast.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda ishin destinacionet e radhës të vizitave tona zyrtare. Vizitën që e nisëm në Londër e përmbyllëm në Dublin, ku ishte kënaqësi të kthehem pas 20 vjetëve. Aty fillimisht u mirëpritëm ngrohtësisht nga diaspora jonë në Irlandë, të cilët i falënderoj për mikpritjen dhe bashkëbisedimin. Të nesërmen u mirëpritëm nga Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, ministri i shtetit për Çështje Evropiane, Peter Burke, për takime bilaterale që thellojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona dhe vizituam Universitetin e Qytetit të Dublinit (DUC) për mundësi të reja të bashkëpunimit”, kishte shkruar Kurti në Facebook.
“Në fundjavë, patëm pritjen zyrtare me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të organizuar nga ambasada jonë në Londër ku të ftuar e të ftuar e të pranishëm ishin dashamirë e aleatë të shtetit tonë. Kurse në fillim të javës, u mblodhëm bashkë me Miqtë Laburistë të Kosovës, nismë kjo që do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”.
E në Irlandë ai u takua me përfaqësues të lartë të vendit si dhe ligjëroi në Queen’s University ku ishte i ftuar. “Nga Londra, shkuam në Belfastin historik. Zhvilluam takime me Ministren e Parë të Irlandës Veriore, Michelle O’Neill dhe zëvendësministren e Parë, Emma Little-Pengelly, Kryetarin e Parlamentit, Edëin Poots, liderin e opozitës, socialdemokratin Mattheë O’Toole dhe Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris”.
Në Irlandën Veriore, ai kishte vizituar edhe shkollën fillore Nettlefield, ku pa nga afër dhe në praktikë zbatimin e sistemit të “Arsimit të Përbashkët”.
Më pas, Kurti ka udhëtuar për në Romë të Italisë. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, atje Kurti ka marrë pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropian (PES), i përqendruar rreth zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit 2024.
Kurti është kritikuar, sidomos nga opozita në vend, se gjatë kësaj kohe nuk ishte pjesëmarrës i një ngjarjeje të rëndësishme që u mbajt në Tiranë, përkatësisht Samitin BE – Ballkani Perëndimor./Demokracia