Kurti qorton ministrat në mbledhjen e partisë: Nuk janë shefa, do të vlerësohen, do të ketë ndryshime

- in Lajme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar ndryshime në Qeveri, ndërsa tha në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje se “nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj”.

Kurti gjatë mbledhjes së 48-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ministrat e tij dhe stafi politik e dinë se do të vlerësohen dhe se mund të mos jenë në pozitat e njëjta.

“Ministrat e zëvendësministrat në Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa…Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik, e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do të merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës. Nuk mjafton që të thuhet se ministri a zëvendësministri i Vetëvendosjes nuk po vjedh, por patjetër duhet që kjo të shoqërohet me rezultate sipas programit tonë qeveritar dhe planit tonë të punës”, u shpreh ai.

Tutje, kryeministri kërkoi që ministrat dhe zëvendësministrat të dalin më shpesh në terren dhe të takohen me qytetarët dhe të mos i lënë punët përgjysmë.

“Nuk mjafton që të themi se po punojmë më shumë se qeveritë e kaluara. Të gjithë ministrat, zëvendësministrat duhet të shkojnë më shpesh në terren të takohen me qytetarët që i prekë fushëveprimtaria e ministrisë së tyre, duhet t’i zgjedhin problemet konkrete, duhet të vijnë me ide të reja e zhvillimore brenda programit tonë dhe sidomos të ketë zbatim të tyre deri në fund. Nuk mund ta nisim një punë që nuk e përfundojmë dhe nuk mund t’i lëmë punët përgjysmë”, tha Kurti.

Gjithashtu ai tha se deri tani s’ka pasur ndryshime në Ekzekutiv për shkak të problemeve të tjera.

“Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush, asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm”, ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/