Për 20 ditë me rradhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, u vendosën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi. Ky veprim erdhi si shenjë protestë nga serbët e veriut pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Policia e Kosovës do të ndërhynte para festës së Vitit të Ri për t’i hequr barrikadat, nëse ato nuk do të hiqeshin.
Ai ka thënë se KFOR-it iu dha koha e nevojshme dhe e kërkuar për heqjen e tyre.
Kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e dëshironte ndërhyrjen policore.
“Ne kemi ofruar gjentilesën tonë karshi KFOR-it, i cili kërkoi pak më shumë kohë që të hiqen ato pa ndërhyrjen e policisë tonë. Policia jonë do të ndërhynte para vitit të ri nëse nuk do të hiqeshin barrikadat.
Ne i dhamë KFOR-it kohën të cilën e kërkoi sepse natyrisht që më mirë është të hiqen pa intervenim. Pra nuk është që ne i gëzoheshim intervenimit të policisë, ne dëshironim që KFOR-i, i cili për 23 vite vazhdimisht ka afirmuar lirinë e lëvizjes, ta sigurojë atë dhe u bë mirë që ata që i vendosën barrikadat edhe i hoqën ato. Bindja ime e fuqishme është që nga frika edhe i kanë vendosur e nga frika edhe i kanë hequr”, u shpreh Kurti.
Kurti ka deklaruar se është mirë që ata të cilët i vendosën barrikadat, i hoqën vet.
“Bindja ime është që ata i vendosën barrikadat nga frika dhe nga frika edhe i kanë hequr”, ka deklaruar tutje ai.
Kurti ka thënë se Serbia është vend armik në veri. Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të përfundojë në qëndrim vetëfajësues.
“Duhet ta kuptojmë që në veri e kemi një shtet armik, që nuk e ndryshon kushtetutën, me ato bazat ofensive. Do të ishte gabim i madh të hyjmë në tezën e vetëfajësimit, kur kemi një Serbi”, deklaruar tutje ai për VoA-n.