Kurti nuk i shkon Prokurorisë Speciale për të dëshmuar, ende jashtë vendit

- in Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale, për t’iu përgjigjur ftesës që i shkoi për të dëshmuar sot në orën 9:30 lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nga ZKM janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet, raporton rel.

Ajo tha se Prokuroria Speciale do ta ftojë Kurtin për të dëshmuar në një datë tjetër.

Kjo ftesë i shkoi Kurtit disa muaj pas intervistimit të Ridvan Muharremit dhe Rozeta Hajdarit në cilësi të të dyshuarve për çështjen e rezervave shtetërore.

Qeveria e Kosovës njoftoi, por nuk sqaroi se për cilin rast e ftoi Prokuroria Speciale e Kosovës kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në datën 16 dhjetor.

Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.

Në përgjigje, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kërkoi Kurtit që “të përmbahet nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese”.

Tetë muaj më vonë, në prill të këtij viti, vetë Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore.

Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje.

Opozita kërkoi dorëheqjen e Hajdarit, por ajo mohoi se ka arsye për një gjë të tillë.

/GazetaSinjali/