Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Studimes së Vushtrrisë, ku forcat kriminale serbe kanë vrarë 116 civilë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se gjaku i derdhur për liri nuk mund të shlyhet kurrë, ashtu siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.
“Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë. E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë”, shkroi ai.
Ai ka shtuar se kriminelët duhet të dalin para drejtësisë, teksa iu ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë për ndriçimin e së vërtetës.
“I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë”, është shprehur Kurti.
Gjithë këtë deklaratë, kryeministri Kurti e ka lëshuar nga Brukseli, ku ndodhet për takimin e radhës në kuadër të dialogut me Serbinë.
Nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur nga lufta e fundit dhe drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, janë çështjet për të cilat do të diskutohet në takimin e së martës pasdite në Bruksel, në takimin e parë mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, pas marrëveshjes së Ohrit.
Bashkimi Evropian ka thënë se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.