Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë homazheve të mërkurën në Prekaz, te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, është pyetur për renovimin e Kullës së Jasharëve, por që ka refuzuar të përgjigjet.
“Kur do të nis renovimi i skelave të Kullës së Jasharëve, pasi tash e 24 vjet ato nuk janë ndryshuar dhe po paraqitet rrezik nga ekspertët”, ka qenë pyetja e gazetares por që nuk pranoi përgjigje nga kreu i ekzekutivit.
Me 22 dhjetor 2021, afërsisht tri vjet më parë, Albin Kurti si kryeministër e Hajrullah Çeku si ministër i Kulturës ngritën dorën lartë në një komision të formuar enkas, për të aprovuar ndërhyrjet rinovuese në kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Me akuza për paraprakët se si e lanë këtë institucion të heroizmit të pashembullt shqiptar gati në prag rrënimi, Kurti e Çeku u zotuan se tashmë gjithçka ka përfunduar proceduralisht dhe janë pajtuar për ndërhyrje, fillimisht emergjente e më pas një mastër plan, për konservimin e shtëpive të Jasharajve dhe atyre përrreth.
Siç ka qenë në ditën kur thanë se do të ndërhynë, ashtu edhe ka mbetur, meqë zotimi s’u jetësua asnjëherë.
Kreu i ekzekutivit gjatë fjalimit të tij që mbajti në Prekaz ka potencuar se edhe lirinë që Kosova e gëzon vjen nga Prekazi.
“Në Prekazin heroik dhe historik, kthehemi dhe rikthehemi që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë që gëzojmë. Të gjithë dhe secili duhet të vij në këtë vend, që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes”, ka thënë ai.
Ai tutje ka përshkruar Epopenë si “dhimbje dhe krenari”.
“Vetëflijimi, sakrifica, vetëmohimi i Jasharëve është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në themelet e çlirimit të vendit tonë, që paraqet edhe dhembje dhe krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë”.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.
Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviçi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.
Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.
Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, ndërsa më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës./Albanian Post/