Kurti: Mësuesi na sjell virtytin publik të lirisë

- in Lajme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke uruar ditën e mësuesit, ka thënë se mësues special ishte Shaban Jashari sepse u kthye në mësues për fëmijët e tij, por ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij.

Kurti ka shkruar në Facebook se personaliteti mësimdhënës mbart drejtpërdrejt fuqinë që i jep virtyti publik i shoqërisë sonë. Mësuesi vjen menjëherë pas prindit.

“Sapo fëmija del prej ngrohtësisë së nënës, babait dhe vatrës, ka përpara vetes dhe bashkëmoshatarëve të vet një autoritet të ri të cilin e dashuron jo thjesht prej ndjenjës, por prej dijes. Në sytë e shkollarit mësuesi është përfaqësuesi i një jete që çelet përpara. Le të kujtojmë sot figurën e mësuesit rezistent, luftëtar, dëshmor. Por edhe të rindjejmë e përkujtojmë atë vrull arsimues të Shaban Jasharit. Le ta rikujtojmë si mësuesi më i shpallur i bijve e bijave të tij. Mësues special ishte baca Shaban sepse u kthye në mësues për fëmijët e tij. Por baca Shaban ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij. Në këtë kuptim 7 marsi mund të marrë vlerën e vet më të plotë. Mësuesi nuk është ai që na sjell dijen abstrakte dhe vetminë, por virtytin publik të lirisë, deri edhe dijen e vetëmohimit në emër të hapjes së një epoke të re”, ka shkruar ai./KosovaPress