Marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit është arritur mbi bazën e një pranimi verbal, por kryeministri Albin Kurti tashmë e ka nxjerrë kusht-frazën e tij të re: zbatim vetëm pas nënshkrimit. Nga Ohri nuk e kishte pasur telashe mosfirmosjen, por pas kthimit çdo ditë po e përsërit.
Këtë kërkesë ai e përsëriti edhe sot pas takimit me kryeministrin irlandez, Leon Varadkar.
Kurti u pyet për deklaratën e tij ku shprehte gatishmëri ta shkruajë draftin e Asociacionit bashkë me dy ministrat e tij.
Ai tha se nuk ka dhënë premtim për shkrimin e Asociacionit, por ka shprehur aftësinë e tij për të shkruar një draft të tillë, deri sa bëri thirrje që Asociacionin të mos e nxjerrin nga paketa e marrëveshjes së fundit Kosovë-Serbi.
“Nëse është çështje e brendshme, siç u tha për herë të parë, unë mund ta shkruaj, pra nuk i kam dhënë premtim tjetrit, por kam shprehur aftësi vetjake për ta shkruar dhe le ta diskutojmë. Por, mos të ngatërrojmë hierarkinë e gjërave – marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flasim për Asociacionin. Të gjithë ata që e nxjerrin Asociacionin nga paketa i bëjnë dëm Kosovës. Nuk mund ta nxjerrësh Asociacionin nga paketa dhe ta bësh prioritet për nga koha ose në qendër për nga hapësira e tryezës. Nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike. Të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos i nxjerrin nga paketa draft-statutin apo Asociacionin si një çështje”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se dëshiron marrëdhënie normale me Serbinë dhe se marrëdhëniet normale janë marrëdhënie europiane të fqinjësisë së mirë.
“Kjo është e rëndësishme për paqen dhe rrugëtimin europian, integrimin në familjen europiane që paraqet edhe fatin tonë edhe synimin tonë”, tha Kurti, deri sa tregoi edhe për shkeljet e Serbisë ndaj marrëveshjes.
“Problemi është që nga 11 nenet, së paku 8 janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim, por edhe respektim. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar edhe nënshkrim. Ne insistojmë në nënshkrim të marrëveshjes. BE si arbitër të reagojë sa herë ka shkelje edhe më të vogla”.
Lehtësuesi i Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ditë më parë në një intervistë tha saktësisht të njëjtën gjë se për draft-statutin nuk ka nevojë të ketë nënshkrim, ngase është dokument i brendshëm i Kosovës dhe jo marrëveshje ndërkombëtare.
“Sipas pikëpamjes sonë, kjo (nënshkrimi i draft-Statutit) nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është”, tha Miroslav Lajçak.
Sa i përket formalizimit të Marrëveshjes Bazike dhe asaj të Ohrit – Lajçaku la të kuptojë atë që kishte lajmëruar vetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, se marrëveshjet si të tilla do të inkorporohen në Kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE, gjë që do të kushtëzojë anëtarësimin e Serbisë me njohjen “e derës së pasme” të Kosovës, që rëndom është interpretuar të jetë “njohje de facto”.
“Jemi duke diskutuar çështjen e formalizimit shtesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit të saj me Qeverinë e Kosovës. Paralelisht, ishim nikoqirë të ekspertëve ligjorë serbë në Bruksel për të diskutuar aspekte të ndryshme të dokumentit. Kjo është legjitime pasi që ky draft është i detajuar dhe i gjerë. Por, të mos harrojmë se pranimi i tekstit të Statutit është vetëm një element i procesit dhe nevojiten hapa shtesë nga pala kosovare për themelimin e Asociacionit”, tha Lajçaku.
Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundërshtuar kërkesën e Kurtit për “nënshkrim”, duke thënë se “çështjet formale të miratimit të marrëveshjes s’duhet të shërbejnë si pengesë”, ku në veçanti ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka quajtur “shpërqendrues” këtë qëndrim të Kurtit. /Demokracia.com