Kurti e mbajti fshehur, por BE e zbulon se ai ka pranuar që përdorimi i “Dinarit” të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel

- in Lajme

“Përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell pati takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Munih javën e shkuar, ku u diskutua kjo çështje [Dinari]. Si rrjedhojë e këtij takimi, i dërguari i posaçëm Mirosllav Lajçak i ftoi dy palët që të vijnë në Bruksel me 27 shkurt”.

Kjo është deklarata e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, e dhënë më 22 shkurt 2024, me anë të së cilës ai nxjerrë zbuluar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se ka pranuar që çështja e përdorimit të “Dinarit” të Serbisë në Kosovë të bëhet pjesë e tryezës së dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar, shkruan Demokracia.com.

Në këtë mënyrë, pa asnjë nevojë dhe kur askush nuk po diskutonte për këtë temë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur që ta bëjë temë të negociatave me Serbinë edhe një çështje tjetër të rregullimit të brendshëm për përdorimin e valutave në Republikën e Kosovës.

KURTI E FSHEHU SE DISKUTOI ME BORRELIN PËR “DINARIN”

Por, ndryshe nga Stano, kryeministri Albin Kurti e kishte mbajtur të fshehur diskutimin me Shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Në njoftimin zyrtar të publikuar nga Kryeministria, më 16 shkurt 2024, thuhet se Kurti së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim bilateral në Konferencën e Sigurisë në Mynih me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh edhe Zëvëndëspresident i Komisionit Evropian, Josep Borrell, si dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në këtë njoftim përmenden temat që janë diskutuar, por askund nuk përmendet çështja e “Dinarit” të Serbisë dhe që Kurti kishte pranuar propozimin e Borrel për një takim të palëve në Bruksel, më 27 shkurt 2024.

“DINARI” DISKUTOHET MË 27 SHKURT 2024

Jo vetëm Stano, por edhe Zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka konfirmuar më 21 shkurt 2024 se çështja e “Dinarit” serb tashmë po hyn në agjendën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili u ka thënë gazetarëve se “…do të shohim kush mund të shkojë që të bisedojë për Dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”.

“Ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transfereve nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim që duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do shohim kush mund të shkojë që të bisedojë për dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, ka deklaruar Bislimi.

Me apo pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejë të Kurtit dhe Bislimit në dialogun për “Dinarin”, përdorimi i valutës serbe në Kosovë do të diskutohet në kryeqendrën evropiane, në Bruksel, në tryezën e ndërmjetësuesit të dialogut, Miroslav Lajçak.

BE: NUK SPECIFIKOHET KUSH MUND T’I PËRFAQËSOJË PALËT

Edhe vetë Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit Stano ka thënë se në ftesën që u është dërguar palëve nuk është specifikuar se nga kush mund të përfaqësohen, duke lënë të hapur mundësinë që Zëvendëskryeministri Bislimi të mos marrë pjesë në këtë fazë të veçantë të dialogut.

“Zakonisht ne nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo i ishte lënë palëve të vendosin”, tha Stano. /Demokracia.com/