Kurti e Çeku harrojnë renovimin e kompleksit memorial “Adem Jashari”, tre vjet më parë mashtruan me “do fillojnë javën tjetër”

- in Lajme

Më 22 dhjetor 2021, afërsisht tri vjet më parë, Albin Kurti si kryeministër e Hajrullah Çeku si ministër, ngritën dorën lartë në një komision të formuar enkas për të aprovuar ndërhyrjet rinovuese në kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Me akuza për paraprakët sesi e lanë këtë institucion të heroizmit të pashembullt shqiptar gati në prag rrënimi, Kurti e Çeku u zotuan se tashmë gjithçka ka përfunduar proceduralisht dhe janë pajtuar për ndërhyrje, fillimisht emergjente e më pas një mastër plan, për konservimin e shtëpive të Jasharajve dhe atyre përrreth.

Siç ka qenë në ditën kur thanë se do të ndërhyjnë, ashtu edhe ka mbetur, meqë zotimi s’u jetësua asnjëherë.

Kurti e Çeku, ndryshe nga sa folën, nuk kanë bërë ndërhyrje emergjente në objektet kryesore të memorialit e aq më tepër të zbatohet ndonjë plan i madh për kompleksin e Jasharajve.

“Nga fillimi i vitit të ardhshëm fokusi ynë do të jetë projekti i madh, pra hartimi dhe zbatimi i master-planit për kompleksin memorial”, kishte shkruar Çeku pas mbledhjes, kurse Kurti e plotësonte me deklaratë se “nga java e ardhshme do të nisin investimet tek ky kompleks memorial”.

“Asnjë arsyetim për mos nisjen e restaurimit nuk na është dhënë”, na tha Fadil Nura, kryetar i Skenderajt dhe anëtar i Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, që ishte formuar si grup specifikisht për t’u marrë me ndërhyrjet në objekte të Jasharajve.

Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Kur Kurti e kishte trajtuar si urgjencë nacionale restaurimin e kullave të Jasharajve dhe kishte deklaruar me vendosmëri qysh në vitin 2021 se do të ndërhyhet urgjentisht, Idriz Blakaj, ish-drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Kompleksit Memorial të Kosovës, ishte i bindur që kryeministri po gënjen.

“Të gjitha qeveritë janë tallë me Kullat e Jasharëve. Të njëjtën po e bënë Albin Kurti”, pati thënë për Albanian Post, Idriz Blakaj.

Doli se kishte të drejtë.

“Përse ishit të sigurt që nuk do të ndërhyhet dhe janë veç deklarata?”, e pyet sërish Blakaj nga AP pothuajse tri vjet pas deklarimit të tij.

“Sepse i kam përcjellur aktivitetet e kryeministrit Albin Kurti nga dalja e tij nga burgu dhe nuk mbajë mend që ndonjëherë e ka mbajtur fjalën”, tha me nënqeshje.

Me 5 mars 1998, policia dhe ushtria serbe kishte rrethuar kullën dhe objektet e tjera të Jasharajve. Si edhe në rrethimet e para, Jasharajt kishin refuzuar të dorëzoheshin, çka do të çonte në luftime të mëdha për tri ditë rresht.

72 orë kishin zgjatur luftimet mes një ushtrie dhe një familje.

Në fund, vdiqën 59 persona, 55 nga familja e njëjtë në krye me Adem Jasharin, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Prekaz kulla e Jasharajve është e konservuar, prandaj shihen gjurmët e luftimeve. S’ka metër katror të mureve të shtëpisë qendrore dhe atyre përrreth që s’janë të zhbiruara nga goditje plumbash të artilerisë së rëndë, apo granatave me rreze të madhe shkatërrimi.

Ministrat e Qeverisë gjatë një vizite tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në nëntor të 2022-ës.

Ky kompleks mund të jetë një nga vendet më të vizituara në Kosovë.

Megjithatë, Qeveria s’mbajti premtimet që i dha.

Ministri Çeku nuk flet më për këtë punë e as nuk përgjigjet.

Kur pyetëm në Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale që është brenda ministrisë, përgjigja e tyre për mos ndërhyrje ishte e tërthortë.

Meqë drejtor aktual nuk ka, iu drejtuam ushtruesit të detyrës të Drejtorit Ekzekutiv, Imer Hakaj.

Përgjigja e Hakaj të futë në labirinte procedurale.

Del se njëherë është hapur konkurs, herë tjetër është aprovuar plan, diku është konfirmuar ai, është mbyllur një konkurs, hapur një tjetër dhe si përfundim tash plani ka mbetur në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Komiteti Ndërministror e ka aprovuar dokumentin final të Komisionit te Eksperteve,  dhe Qeveria e Republikës së Kosovë ka marrë vendim për kriteret, kushtet për shpalljen e konkursit si dhe procedurat e aplikimit të përzgjedhjes së Projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz”, tregoj Hakaj.

Atëherë?

“Atëherë Ministria e ka shpallur procedurën e hapur te prokurimit për përzgjedhjen e projektit – master planit për Kompleksin Memorial”, tregon Hakaj.

Pra, gjithçka është gati për të filluar ndërhyrjen?

“Jo”, sepse “nga ajo kohë, 25 maj 2023, konkursi është mbyllur”.

Është e paqartë pse është mbyllur ky konkurs, port thuhet se gjithçka ka mbetur “në një pritje te përgjigjes zyrtare nga ata”.

Për Blakajn, ish drejtorin e agjencisë që tash e udhëheqë Hakaj, prapë s’do ndodhë gjë.

Cinizmi në këtë drejtim i është krijuar kur kujton se “Projekti për konservimin e kullave është i gatshëm që nga viti 2015 dhe gjendet në zyrat e Agjencisë”.

Ai thotë se qeveritë asnjëherë s’kanë qenë të sinqerta për ndërhyrjen në këtë kompleks, më të rëndësishmin në Kosovë.

Po ta kishin, do ta bënin me urgjencë së paku në vitin 2017, sepse atëherë ishte konstatuar se “asnjë vit më gjatë nuk mund të qëndrojë dhe do të bien”.

“Kaluan shtat vjet dhe kullat janë ende të pa konservuara në gjendje shumë më te keqe”.

Në vizitën që e bëmë në Kompleksin Memorial për të parë gjendjen, aty shihet se ka mbetur e paprekur qysh kur për herë të parë ishin vendosur skelat përreth që t’u mundësohej vizitorëve shikimi i detajshëm i objekteve.

Pjesa tjetër, ajo tek varrezat, mirëmbahet dhe është në gjendje të mirë, derisa funksionon edhe muzeu ku mund të shihen armët dhe gjësende personale të 59 personave që vdiqën ato tri ditë.

Në opozitë, Kurti ishte shumë i ndjeshëm në raport me lapidarët e varrezat e dëshmorëve.

Duke shprehur pakënaqësitë e tij me qeveritë, njëherë u kishte thënë në parlament se “ju vjedhni edhe në varreza të dëshmorëve”./Demokracia