Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti u zotua se do të udhëheq me parime dhe me besim mbi bazën e vullnetit të popullit.
Kurti pas betimit në Kuvendin e Kosovës, tha se deri dje ishte kandidat i një subjekti, e prej sot do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve të vendit.
Kurti: Do të jem kryeministër për të gjithë qytetarët e Republikës të Kosovës
Video
“Deri dje isha kandidat i një subjekti, kurse nga sot do të jem kryeministër për të gjithë qytetarët e Republikës. S’ka dyshim se këto zgjedhje ishin historike, por po aq historike është edhe përgjegjësia e kësaj qeverie. Andaj, sot aq sa jam mirënjohës për besimin e dhënë, po aq ndjehem i përulur para detyrave që kemi para nesh”, tha Kurti.
Ai para deputetëve tha se në qeverisje nuk do të lejojnë keqpërdorimet, teksa iu drejtua deputetëve me disa fjalë.
Kurti – deputetëve të pozitës: Mos u sillni me arrogancë ndaj opozitës
“Për deputetët e pozitës, të cilët janë gati gjysma e Parlamentit, këtë rol e përgjegjësi mos e merrni si të mirëqenë e mos u sillni me arrogancë ndaj opozitës, sepse ashtu siç u kanë dhënë votën qytetarët, ashtu edhe ua marrin. E sa vlen kjo për deputetin, vlen shumëfish më shumë për mua si kryeministër dhe kabinetin qeveritar”, tha ai.
Kryeministri i sapo zgjedhur u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me partitë opozitare, sidomos në dialogun me Serbinë.
Kurti: Do të bashkëpunojmë me opozitën, sidomos në dialog me Serbinë
“Nga polemikat dhe mospajtimet e brendshme mund të humbasim ne si liderë e udhëheqës të vendit, por nga mospajtimet në politikën e jashtme humbet shteti. Andaj, na duhet koordinim dhe konsensus, sidomos në raport me Serbinë dhe në dialog me të. Do të kërkojmë diskutim parlamentar deri në shterrim”, u shpreh ai.
Kurti në seancën e parë si kryeministër ka thënë se me një bashkëpunim të të gjithëve dhe mentalitet të ri të punës do të arrijë të bëjë shtetin që secili ka ëndërruar. Teksa shtoi se të gjithë kanë obligim në bërjen e shtetit./N.Jakupi/ KP