Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve ku vendi po përballet me temperatura të larta.
Këtë thirrje Kurti e bëri gjatë vizitës që pati mëngjesin e së martës në Suharekë, pasi atje disa zona u përfshinë nga zjarri.
Kurti nga aty tha se bashkatdhetarët të cilët kanë ardhur për pushime në Suharekë, duhet të ndjehen të sigurt, por tërhoqi vërejtjen sërish për kujdes në mënyrë që zjarret që u fikën këto ditë, të mos rishfaqen.
Kryeministri ka vizituar Zonën Industriale, e cila ishte e rrezikuar nga përhapja e zjarreve, por që u shuan me angazhimin e madh të FSK-së, zjarrfikësve, organeve komunale e qendrore. Kryeministri Kurti bëri thirrje për kujdes të shtuar në këto ditë me temperatura shumë të larta.
“Duhet të jemi shumë vigjilentë dhe të kujdesshëm, meqenëse edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër, do të jenë temperaturat e larta dhe erërat e fuqishme e bëjnë shumë më të vështirë fikjen e zjarreve më pastaj”, tha ai.
Kryeministri Kurti i falënderoi edhe komunat e tjera që e ndihmuan Komunën e Suharekës, e cila siç tha ai, e ka një florë dhe faunë të jashtëzakonshme dhe bjeshkë shumë të pasura.
“Në veçanti, dua të falënderoj vullnetarin, qytetarin e Suharekës dhe jo vetëm të kësaj komune, të cilët bashkë me institucionet këtu, ishin në front të kësaj situate emergjente dhe tash për tash arritën me sukses që dëmet materiale t’i kemi sa të më të vogla, ndërkaq ato njerëzore të mos na shfaqen”, tha kryeministri Kurti./KP