“Kurti: Asociacioni është ide e Serbisë” | Pyetje publike për kryeministrin: Pse e keni pranuar dhe jeni zotuar ta zbatoni, meqë qenka ide e Beogradit?

- in Lajme

Nëse skena aktuale politike e Kosovës do të fliste për Zajednicën me gjuhën e opozitarit Albin Kurti, padyshim se kryeministri i sotëm i Kosovës, që ka rastisur të jetë Kurti, do të akuzohej për serbofili. Por, opozita kosovare ka zgjedhur tjetër rrugë dhe nuk e ka përqafuar gjuhën e njëjtë.

Për ta argumentuar këtë, nuk ka nevojë të shqyrtohen mendime të personave të ndryshëm, por mjaftojnë vetëm deklaratat e një njeriu, kryeministrit aktual dhe opozitarit të para disa viteve, Albin Kurtit, shkruan Demokracia.com.

Në këtë situatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të përgjigjet publikisht në dy pyetje: Përse e ka pranuar Zajednicën në Bruksel më 27 shkurt, në planin franko-gjerman? Dhe, pse është zotuar se do ta zbatojë Zajednicën, meqë sipas tij qenka ide e Serbisë?
NGA “PRANIMI I ZAJEDNICËS ËSHTË SERBOFILI” NË “ASOCIACIONI ËSHTË NË NENIN 10”

Të premten e 29 shtatori 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kualifikuar Zajednicën / Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si një ide të Serbisë.

“Ideja u soll në Kosovë nga Serbia”, ka thënë Kurti në një intervistë për gazetën zvicerane, Neue Zürcher Zeitung, duke shtuar se një Asociacion i tillë “nuk vjen nga popullata serbe e Kosovës”.

Kjo gjuhë e kryeministrit Kurti është në përputhje të plotë me diskursin e tij si opozitar, por jo edhe me vendimet e tij si kryeministër dhe përfaqësues i Kosovës në dialogun me Serbinë.
Në vitin 2015, në kulmin e kundërshtimit të Zajednicës / Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, opozitari Albin Kurti argumentonte fuqishëm kundër themelimit të saj/tij.

“Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës. Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil. Vetëm nga pozita e një serbofilie mund ta pranosh Zajednicën dhe kjo po na ndodh tash. Kushdo që e argumenton pozitivisht Zajednicën është serbofil. Zajednica është Zajednicë e Serbisë për sebët sipas pikëpamjes së Serbisë, prandaj, edhe mbështetja e Zajednicës është serbofili”, deklaronte Kurti më 29 gusht 2015.

Që nga koha kur Kurti është në pushtet, ai ka ndryshuar krejtësisht lidhur me dialogun me Serbinë. Edhe Zajednicën që ai e kundërshtonte në demonstrata të dhunshme, Kurti e ka pranuar me planin franko-gjerman apo Marrëveshjen Bazë të Brukselit (27 mars 2023).

Ky pranim i Zajednicës gjendet në dy formulime të kësaj marrëveshje. Në Nenin 10 ku: “Të dyja palët e konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese” dhe në Nenin 7 ku: “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.
Pavarësisht se kryeministri Kurti ka pranuar zbatimin e themelimit të Zajednicës, ai kohëpaskohe i rikthehet diskursit të ashpër kundër saj. /Demokracia.com/