Kur pritet që Prishtina ta ketë policinë lokale

- in Lajme

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar që sa më shpejt të formohet policia lokale e kryeqytetit. Këtë e parasheh edhe Ligji për Prishtinën i miratuar në vitin 2018.

Por zyrtarët komunalë thanë për Radio Kosovën se ligji në fjalë, i ka disa mangësi, të cilat e pamundësojnë zbatimin e pjesës për policinë lokale. Sipas tyre, ligji në fjalë duhet të ndryshohet, sepse është në kundërshtim me Ligjin për Policinë, pasi që ndërhyn në zinxhirin komandues të Policisë.

Krerët e Komunës së Prishtinës janë duke insistuar që sa më shpejt të formohet policia lokale e kryeqytetit. Kjo kërkesë vjen për arsye se sa herë që inspektorët e kryeqytetit duhet të kryejnë ndonjë intervenim në terren, ata kanë nevojë për ndihmën e policisë. E për ta marrë këtë ndihmë, komunës i duhet të bëjë kërkesë në polici, e cila për shkak të procedurave shumë herë vonohet e kjo vonesë ndikon edhe në zbehjen apo dështimin e aksioneve të inspektoratit. E për ta evituar këtë problem, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar që sa më shpejt të krijohet polica e kryeqytetit.

“Nevoja për krijimin e policisë të kryeqyteti është shumë e madhe, dhe për këtë arsye kemi pasur takim për Ministrinë e Punëve të Brendshme, për krijimin e policisë. Ligji që ka kaluar me pikat që ndërlidhet me policinë e kryeqytetit bie ndesh me kushtetutën e Kosovës. D.m.th nuk është mirë i trajtuar dhe duhet të rishikohet”, theksoi Përparim Rama

Ai, tutje shtoi se kanë vendosur kontakte me të gjithë akterët relevantë në lidhje me ndryshimin dhe, rrjedhimisht, përmirësimin e kësaj mangësie ligjore, duke thënë se do ta rishikojmë atë pjesë.

“Ne duhet t’i kemi inspektorët tanë nëpër pikat kyçe e për këtë arsye na duhet një numër shtesë prej 100 policësh të kryeqytetit, të cilët do të monitorojnë dhe do të lirojnë të gjitha rrugët e kryeqytetit”, tha, mes tjerash, kryetari Rama.

Ai, ditë më parë, ka deklaruar se është duke diskutuar intensivisht me kreun e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili, sipas tij, po e mbështet në përshtatjen e ligjeve e që do ta mundësonin formimin e policisë lokale të kryeqytetit.

Lidhur me këtë çështje, Radio Kosova ka tentuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në mënyrë që të marrë përgjigje për atë se kur pritet të fillojnë procedurat për ndryshimin e ligjit për policinë e që do ta mundësonte krijimin e shpejtë të policisë lokale, e cila do t’i ketë kompetencat vetëm në kryeqytet, por kontakti me ta ishte i pamundur.