Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka reaguar ndaj deputetit të Vetëvendosjes (VV), Haki Abazi, duke thënë se ky i fundit dhe shefi i tij politik, Albin Kurti duan ta fshijnë pjesën e ndritur të kombit, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një postimi në Facebook, Gjoshi ka shtuar se kur flitet për historinë e shqiptarëve, sipas tij askund nuk gjendet Abazi e as Albin Kurti, ndërsa Hashim Thaçi me shokë.
“Edhe Haki Abazit, por edhe shefit të tij, Albin Kurtit, iu dhemb fakti se kurdo që të flisni për shqiptarët dhe historinë e tyre, aty do ta gjeni edhe Hashim Thaçin me shokë në shërbim të kombit. E di se keni dëshirë të zjarrtë ta fshini pjesën e ndritur të kombit, Luftën e UÇK-së, por nuk do t’ia arrini. E kur do të flitet për historinë e shqiptarëve, askund nuk do t’i gjeni Haki Abazin e Albin Kurtin me shokë si ta”, ka thënë ai.
Mbrëmë Haki Abazi ka thënë se Hashim Thaçi dialogonte për interesa personale, Kurti për ato kombëtare.
“Albin Kurti mund të flasë në emër të shqiptarëve shumë më shumë se sa ka mundur të flasë Hashim Thaçi. Arsyeja kryesore është futja në negociata me fusnotë pas shpalljes së pavarësisë, është bërë demarkacioni, Marrëveshja e 2013, është bërë marrëveshja ku tentohet të formohet një institucion i tretë në vend, krejt në fund janë hapur temat për kthimin e dhuratave të Rankoviçit, deri tek momenti kur Thaçi thotë “we are not problematic guys”. Ja ka hekur barrën Vuçiqit për krejt ato krime që ka kryer që ai të vijë në Kosovë, ku në një nga rastet e vizitës vjen e lavdëron Millosheviçin. Dialogimi i Thaçit ka qenë për nevoja personale”, ka thënë Abazi. /gazetametro.net