Nëse reagoni, mund të humbisni një mik ose bashkëpunëtor pune. Por nëse heshtni, ju po e normalizoni dhe po pajtoheni me dhunën dhe përdorimin seksual të të miturve. Por kjo nuk do të zgjasë. Dikur, një gjeneratë do të vijë, dhe do t’ju gjykojë e do të kërkojë prej juve llogari. Ose se paku do t’ju bëjë horë. Ashtu qysh e meritoni.
A.H. janë incialet e dëshmitares e cila i ka rrëfyer Prokurorisë se ka parë me sytë e vet teksa reperi Gjiko ka kryer marëdhënie seksuale me një të mitur. Dëshmia e saj thotë se në banesën ku dyshohet se ka ndodhur ajo që me ligjet e Kosovës është vepër penale “dhunim”, kanë qenë shumë persona të cilët kanë qëndruar në dhomën e ndenjës, ku pasi kanë kosnumuar mariuanë dhe alkool, Gjiko e ka marrë të miturën dhe ka kryer marëdhënie seksuale në një dhomë tjetër.
“Gjatë kohës sa unë e V. qëndronim në ballkonin e banesës, nga dritarja e kam vërejtur [vitikmën] duke bërë seks me Gjikon dhe po ashtu e kam vërejtur Gjikon duke e incizuar atë tërësisht të zhveshur duke bërë disa skena që mua nuk më janë dukur normale dhe kam vendosur të largohem dhe ajo ka mbetur aty”, thotë A.H. lidhur me rastin.
A.H. përpos që është dëshmitare, është edhe pjesë e aktakuzës, pasi që përmes saj Gjikolli ishte njoftuar me viktimën. Dhe ndaj saj rëndon akuza për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale dhunim”. A.H do të përballet me drejtësinë edhe për faktin se ka heshtur dhe nuk ka raportuar aktin e parë, por ajo tashmë ka folur dhe identeti i saj është i parëndësishëm.
Por të rëndësishme jane identitetet me emër e mbiemër të cilët janë pjesë e estradës së muzikës në Kosovë. Emra të njohur, me miliona ndjekës në rrjete sociale, miliona klikmike në këngët e tyre, qindra koncerte brenda dhe jashtë vendit, dhe jashtëzakonisht të pasur për nga paratë. Këta janë këngëtarët, kolegët e Gjikos të cilët HESHTIN, dhe nuk e shohin të arsyeshme që të reagojnë ose të flasin për “dhunimin e një të miture” nga kolegu i tyre.
Ata heshtën edhe ndaj rasteve të tjera të ngjajshme, kur kolegë të tyre u përballen me akuza, sikurse rasti i këngëtarit të grupit NRG Band, Besnik Qaka, që u akuazua për dhunimin e një të miture, apo kur këngëtari Butrint Ymeri tregonte në televizion sesi kishte qenë dëshmitarë i një rasti të dhunimit të një vajze nga një shok i tij.
Prandaj është koha që kjo kulturë e heshtjes të marrë fund. Dhe ata që heshtin, të përmenden me emra dhe t’u kërkohet që të reagojnë. Heshtja është pajtim dhe neturaliteti është po aq i dëmshëm kur flitet për dhunimin e një të miture.
Kështu që le të flasim hapur. Sipas Prokurorisë, koha kur Gjiko ka përdorur seksualisht një të mitur në banesën e tij, ishin vitet 2015-2016, ndërsa Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka lajmëruar reperin qysh në mars të vitit 2017 se ndaj tij është ngritur aktakuzë për veprën e rëndë penale “dhunim i të miturës”.
Në këtë periudhë prej vitit 2015 e deri në vitin 2017, Gjiko ka bashkëpunuar me të gjitha yjet e muzikës. Pastaj edhe prej vitit 2017 deri tash, ai ka shtuar listën e yjeve me të cilët ka bashkëpunuar. Ata kanë emra dhe të gjithë i njohin:
Dafina Zeqiri – ka realizuar shumë hite para vitit 2015, gjatë viteve kur dyshohet se ka ndodhur dhunimi dhe pas vitit 2017 kur Gjiko është informuar për aktakuzën. Dafina Zeqiri e cila pos muzikës ka pasur shumë deklarata dhe performanca duke u prezantuar kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave e ngacmimeve seksuale. Por asnjë fjalë për kolegun e saj që dyshohet se ka dhunuar një të mitur. Ajo spo flet.
Ledri Vula dhe Ermal Fejzullahu – janë dy të tjerë këngëtarë që kanë bashkëpunuar, dhe madje kanë pohuar se kanë miqësi me reperin Gjiko. Të dy këta kanë realizuar këngë edhe pas vitit 2017, kur në sirtarët e Gjykatës, qëndronte aktakuza ndaj Gjikos.
Melinda – një repere e njohur me qindra mijëra klikime e cila në tekstet e saj shprehet të jetë shumë feministe dhe në intervistat e saj e ka promovuar veten si në krah të vajzave dhe kundër dhunës, ka realizuar gjithashtu këngë e videoklipe me Gjikon. As kjo nuk ka folur as shkruar gjë për aktakuzën.
Buta dhe Lumi B – janë dy reperë të tjerë të cilët kanë realizuar këngë e videoklipe me reperin, madje kanë mbajtur me dhjetra koncerte së bashku. Tash as këta nuk flasin.
Nora Istrefi – një tjetër yll i muzikës pop që ka bashkëpunuar në hite të ndryshme me Gjikon. As kjo nuk ka folur, as komentuar, as reaguar ndaj aktakuzës.
Lista me yje të tjerë të muzikës mund të vazhdojë gjatë, por arsyetim asnjëri nga ta nuk kanë. Heshtja është gati e njejtë me aktin. Të gjithë këta yje kanë me miliona ndjekës, shumica të mitur e gjithashtu të rritur. Shumica e tyre kanë ndikim te miliona të rinj shqiptar, të cilëve duhet t’u flasim hapur dhe të dalim kundër fenomeneve sikurse “dhuna seksuale” ose “përdorimi seksual i të miturve”. Nëse ju heshtni, i bie që ose pajtoheni me dhunën ndaj të mitures, ose ju duket më me rëndësi që ta mbroni kolegun dhe dostin tuaj. Por dosti e kolegu juaj nuk është më me rëndësi sesa vepra për të cilën akuzohet.
E di që nuk ju kërkohet me Kushtetutë që të reagoni ose të komentoni kur ndonjë koleg i juaj në industri akuzohet për diçka kaq të rëndë, por duhet t’ia kujtoni vetes se famën dhe popullaritetin e ndikimin e madh që e keni, nuk mund ta ruani me heshtje.
As Gjikos e as viktimës së mitur nuk i ndihmon heshtja. Sepse nëse rasti i Gjikos heshtet nga ju, siç keni heshtur në rastet e tjera, atëherë ju po i lejoni dhe jepni hapësirë të madhe që në të ardhmen një tjetër reper a këngëtar të shfrytëzojë a dhunojë të mitura, duke përdorur famën e tyre si karem.
Nëse reagoni, mund të humbisni një mik ose bashkëpunëtor pune. Por nëse heshtni, ju po e normalizoni dhe po pajtoheni me dhunën dhe përdorimin seksual të të miturve.
Nëse ju mund të jetoni me këtë heshtje atëherë kjo tregon shumë për juve. Dhe vetëm për shkak se jetojmë në një mentalitet të tillë provincial, ju mund të vazhdoni famën e karrierën e tuaj, pa ju gjykuar askush. Por kjo nuk do të zgjasë. Dikur, një gjeneratë do të vijë, dhe do t’ju gjykojë e do të kërkojë prej juve llogari. Ose se paku do t’ju bëjë horë. Ashtu qysh e meritoni./Nacionale