DMT është një prej drogave më të fuqishme psikodelike në planet, e aftë t’ju ofrojë halucinacione intensive.
Studiuesit së fundmi mbikëqyrën më shumë se 2 mijë përdorues të DMT-së rreth eksperiencave të tyre derisa ishin nën efekt, duke gjetur se përdoruesit shpesh i konsideruan këto eksperienca të çuditshme si pozitive dhe kuptimplota. Shumica e përdoruesve besuan se qeniet me të cilat u takuan nën efektin e drogës, nuk ishin halucinacione.
Droga psikodelike DMT është stimulues i vizioneve të fuqishme. Në doza të ulëta, njerëzit shpesh kanë halucinacione, figura gjeometrike dhe çrregullim fizik të hapësirës rreth tyre. Por gjërat bëhen shumë më të çuditshme në doza më të larta.
Kur njerëzit konsumojnë më shumë DMT, për të pasur një eksperiencë “potente”, ata shpesh ndeshen me qenie të njohura si elfë (kukudhë) që duken autonomë, që ekzistojnë në një realitet të ndarë nga i joni.
KUKUDH m. mit. Figurë e mitologjisë shqiptare që përfytyrohej si një burrë i shkurtër e me bisht, i cili dilte natën nga varri dhe shëtiste rreth e rrotull; lugat. U ngrit si kukudh. Doli si kukudh. U mblodh si kukudh.
Forma dhe natyra e kukudhëve të DMT-së dallon në raporte të ndryshme, por një gjë befasisht mbetet konstante: Njerëzit i etiketojnë këto ndërveprime si në mesin e më kuptimplotave të jetëve të tyre.
Te disa njerëz, këto ndërveprime ia ndryshojnë besimin për realitetin, ekzistencën e jetës pas vdekjes dhe zotit.
Një studim i fundit dhuron disa prej informacioneve më të detajuara për këto ndërveprime të njerëzve me kukudhë, deri tash. I publikuar në ‘Journal of Psychopharmacology’, studimi përfshin përgjigje nga 2,561 përdorues të rritur, të cilët kanë folur me një qenie (apo shumë qenie), pasi kanë tymosur DMT. (DMT është një kimikat endogjen, të cilin trupi e prodhon natyrshëm.)
Shumica e të përfshirëve në studim kishin përdorur DMT disa herë në jetën e tyre. Studimi ka përjashtuar eksperiencat në të cilat njerëzit konsumuan edhe droga të tjera me DMT, dhe nuk përfshin përvoja me ayahuasca, që është një pije që përmban DMT.
Rezultati tregon:
Ndërveprimet nxitën përgjigje emocionale për 99% të njerëzve.Emocionet më të zakonshme ishin kënaqësia (65%), besimi (63%), befasia (61%), dashuria (59%), mirësjellja (56%), miqësia (48%), dhe frika (41%), gjatë ndërveprimit me kukudhët, teksa emocionet me proporcion më të vogël ishin trishtimi (13%), mungesa e besimit (10%), neveria (4%), ose frustrimi (3%).
Ndërveprimet u ndjenë më ‘reale’ se realiteti. Kjo ishte fakt për 81% të të përfshirëve gjatë ndërveprimit, dhe 65% pas ndërveprimit. Një përdorues shkroi: “Ishte një nocion jashtëzakonisht i fuqishëm, se ky dimension në të cilin subjektet dhe unë u mblodhëm ishte pafundësisht më “real” sesa realiteti në të cilin unë jetoj zakonisht. Ndihej më e vërtetë se çdo gjë tjetër që kisha përjetuar ndonjëherë.”
Njerëzit i përshkruan subjektet në mënyra të ndryshme. Etiketimet më të shpeshta ishin “qenie”, (60%) “udhërrëfyes” (43%), “shpirt” (39%), “alienë” (39%) ose “ndihmues” (34%). Disa etiketime tjera në proporcione më të volga (mes 10-16%), përfshinë etiketime si “kukudhë”, “engjuj”, “personazh religjioz” dhe “shpirt”.
Shumica e njerëzve thanë se subjektet nuk ishin halucinacion.Rreth tri të katërtat e njerëzve të përfshirë thanë se besonin që qeniet ishin të vërteta, por ekzistonin në një dimension apo realitet tjetër. Vetëm 9% thanë se subjektet ekzistonin “krejtësisht brenda vetes time”.
Shumica i përshkruan qeniet si pozitive. “Kur u pyetën për atributet e subjekteve, shumica raportuan se subjektet ishin të vetëdijshme (96%), inteligjentë (96%), dashamirës (78%), të shenjtë (70%), kishin agjension në botë (54%), dhe ishin gjykues pozitivë (52%). Shumë më pak thanë se subjektet ishin negativisht gjykuese (16%) ose keqbërës (11%).”
Shumica pranuan një mesazh gjatë ndërveprimit. Rreth dy të tretat e të përfshirëve thanë se pranuan një “mesazh, detyrë, mision, qëllim, ose informacion nga subjektet gjatë ndërveprimit”.
Çfarë lloj mesazhesh? Disa njerëzve iu tha se vdekja nuk është fundi, se gjithçka dhe çdokush është i lidhur. Të tjerëve iu dhanë mesazhe personale, si sjelljet e këqija, dhe se duhet të ndalojnë së bëri ato.
Disa mesazhe ishin çuditërisht praktike – një përdorues tha se iu zbulua lokacioni i një ndriçuesi elektrik që nuk e gjente (“është brenda një kolltuku, shko, shiko”). Gjithashtu një përdorues tha se subjekti “po më mësonte rregullat e NFL (futbollit amerikan)”.
Ndërveprimet shpesh u përcollën nga ndryshime të gjata në mirëqenie dhe besime. Rreth një çerek i përdoruesve thanë se ishin ateistë para ndërveprimit, por vetëm 10% thanë se u bënë pastaj.
“Rreth një e treta (36%) e të përfshirëve raportuan se para ndërveprimit, besimi i tyre përfshinte një besim në një fuqi mbinatyrore, Zotin, hyjninë universale, por një përqindje dukshëm më e madhe (58%) e të anketuarve raportuan këtë sistem besimi pas takimit.”
Për më shumë, 89% e të përfshirëve thanë se ndërveprimi ndikoi në përmirësime mirëqenieje ose kënaqësi ndaj jetës. Pse? Studiuesit sugjeruan se “shoku ontologjik” – gjendje kur detyrohesh të vësh në pikëpyetje pikëpamjen tënde ndaj botës – mund të ketë “luajtur një rol të rëndësishëm në ndryshimet pozitive në jetë në sjellje, disponim dhe reagime që i atribuohen atyre eksperiencave”.
“Kështu, është e mundur se, në rrethanat e duhura mbështetëse, DMT mund të japë shenja premtuese në terapi për njerëzit që kanë probleme me disponim dhe sjellje”,shkruajnë studiuesit.
Studimi gjithashtu potencoi se ndërveprimet me DMT kanë shumë të përbashkëta me eksperienca afër-vdekjes dhe kidnapime nga alienët, të cilat gjithashtu kanë ndikuar në ndryshimin afatgjatë të besimeve personale.
A ekzistojnë subjektet e DMT-së në të vërtetë në një dimension tjetër, apo janë halucinacione që truri gjeneron kur sistemi i tij i përpunimit vizual është i mbingarkuar nga një triptaminë e fuqishme?
Etnobotanisti amerikan, i cili nuk jeton më, Terence McKenna besonte se qeniet e DMT-së, të cilët ai i quante “kukudhë makinerikë”, ishin të vërtetë. Ja si e përshkroi ai një herë një prej eksperiencave të tij me DMT.
“U fundosa në dysheme. Unë [përjetova] këtë halucinacion të rrëzimit përpara në këto hapësira gjeometrike fraktale të bëra nga drita dhe më pas e gjeta veten në ekuivalentin e kishës private të Papës dhe kishte makineri kukudhëse të insekteve që ofronin pllaka të vogla të çuditshme me shkrime të çuditshme mbi to, dhe isha i tmerruar, krejtësisht i tmerruar, sepse [në] pak sekonda… e gjithë pritshmëria ime për natyrën e botës po copëtohej para meje. Në fakt nuk e kam kapërcyer kurrë këtë.”
“Këto makineri vetëtransformuese, qenie kukudhëse, po flisnin në një gjuhë shumëngjyrëshe, të cilat u kondensuan në makina rrotulluese që ishin si vezët Fabergé (vezë e krijuar me ar dhe xhevahirë), por të prodhuara nga qeramika superpërcjellëse luminescente dhe xheli me kristal të lëngët. Të gjitha këto gjëra ishin thjesht aq të çuditshme dhe kaq jashtëtokësore dhe aq jo-angleze, saqë ishte një tronditje e plotë – dua të them, kthimi i mirëfilltë i universit brenda meje”.
McKenna besonte se makineritë kukudhëse ekzistonin në realitete alternative, të cilat formojnë një “univers të intelegjencës aktive që është transnjerëzore, hiperdimensionale, dhe ekstremisht jashtëtokësore”. Por ai ishte larg nga të qenët i pari që besonte se DMT është dera për një botë tjetër.
Popujt indigjenë të pellgut të Amazonës kanë përdorur ayahuascanë ceremonitë fetare për shekuj me radhë, edhe pse askush nuk është plotësisht i sigurt se kur filluan të eksperimentojnë për herë të parë me pijen psikodelike. Populli Jibaro i pyllit tropikal të Ekuadorit, besonte se ayahuasca lejonte njerëzit e rregullt, jo vetëm shamanët, të flisnin drejtpërdrejt me perënditë. Gjeografi ekuadorian i shekullit të 19-të, Villavicencio, shkroi për shamanët e tjerë amazonianë që përdorën ahaysuca (e njohur si “hardhia e të vdekurve”) për të kontaktuar shpirtrat dhe për të parashikuar planet e betejës së armikut.
Në perëndim, studimet në eksperiencat me DMT kanë qenë interesante. Psikiatri Rick Strassman bëri disa prej provave të para njerëzore me DMT në Universitetin e Nju Meksikos në të 90-at e hershme. Ai zbuloi se “të paktën” gjysma e subjekteve të studimit kishin pasur eksperiencë me një formë subjektesh pasi kanë marrë DMT.
“Nuk isha i përgatitur intelektualisht dhe emocionalisht për frekuencën ku kontakti me qeniet ishte i përfshirë në studimet tona, e lëre më natyrën bizare të eksperiencave”, shkroi Strassman në librin “DMT Molekula Shpirtërore”.
Natyrisht, shumë njerëz besojnë se kukudhët e DMT-së janë halucinacione. Por pyetja qëndron: Pse kaq shumë njerëz takohen me qenie të ngjashme?
Një përgjigje: Kjo është pikërisht ajo që njerëzit presin të shohin. Pas së gjithash, me shumë gjasë njerëzit që dëshirojnë të provojnë një drogë potente si DMT, të kenë bërë studime rreth saj dhe – potencialisht – kanë lexuar deklarimin e McKennas për kukudhët makina. Dhe kjo është pamja që truri ofron. (Një sondazh i ‘Erowid’ mbi temën e qenieve DMT dikur përfshinte pyetjen: “A e dini kush është Terence McKenna?” 54 përqind e të anketuarve raportuan se kishin njohuri për të.)
Një shpjegim tjetër vjen nga një artikull i DoseNation i vitit 2004 nga James Kent, autor i “Teoria e informacionit psikodelik – Shamanizmi në epokën e arsyes”. Kent argumentoi se “njerëzit në të gjitha kulturat kanë arketipa të huaj dhe qiellorë të ngulitur në nënndërgjegjen e tyre dhe triptaminat psikedelike mund t’i qasen arketipave me një nivel të lartë suksesi”.
Kent tha se ai është përballur me kukudhët e DMT-së gjatë eksperiencave edhe vetë, dhe se ai madje ka arritur të bëjë “biseda rudimentare” me ta. Në eksperimentet e tij personale, ai testoi nëse këto qenie mund t’i zbulonin atij ndonjë informacion që ai vetë do të ishte i paaftë për ta ditur. Ata nuk mundën.
“Kurdo që mundohesha të nxirrja një informacion nga subjektet në lidhje me veten e tyre, të dhënat që më jepeshin gjithmonë ishin relevante për mua. Kukudhët nuk mund të më jepnin asnjë informacion që tashmë nuk e dija, as ekzistenca e tyre nuk mund të mbështetej nën ndonjë lloj shqyrtimi të zgjatur.”
Gjithashtu vlen të theksohet se jo të gjithë njerëzit që tymosin DMT shohin qenie, dhe se disa shohin qenie që nuk duken aspak si kukudhë apo alienë. Diversiteti i këtyre raporteve duket se përdoret kundër argumentit se qeniet e DMT-së ekzistojnë në një dimension tjetër realiteti.
Me fjalë të tjera, nëse qeniet e DMT-së ekzistojnë në ndonjë dimension tjetër, a nuk duhet t’i paraqiten të gjithëve njejtë kur i vizitojnë në atë dimension? Apo ndoshta qeniet kanë paraqitje tjetër bazuar në atë se kush po shikon. Apo ka shumë lloje qeniesh në universin e DMT-së, por shumica duken si kukudhë?
Ju mund të filloni të shihni kukudhë, vetëm duke u munduar të përgjigjeni në këto pyetje.
Përfundimisht, askush nuk e di saktësisht pse qeniet e DMT-së marrin format që marrin, apo janë vetëm figmente të imagjinatave të mbistimuluara.
Në studimin e fundit, 60% e pjesëmarrësve thanë se ekseperienca e tyre me qeniet e DMT-së “dhuroi një këndvështrim të kënaqshëm për realitetin, ndërsa 1% thanë se patën eksperiencë jo të dëshirueshme në konceptin mbi realitetin”.
Kukudhët e DMT-së mund të mos jenë asgjë tjetër, pos projeksione të ndërdijës. Por, këto ndërveprime bizare ndihmojnë disa njerëz të gjejnë kuptimin e vërtetë.