Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, ka deklaruar mbrëmë se minatorët nuk janë takuar asnjëherë as me Kryeministrin Albin Kurti e as me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin, prej se është formuar Qeveria Kurti 2.
Ibrahimi ka thënë se së fundi kanë kërkuar takim me ministren për të diskutuar për problemin e pagave, por se, sipas tij, Rizvanolli nuk po i takon.
“Ministria nuk don me dëgju, nuk don me na taku, nuk don me i dëgju hallet tona. Asnjëherë nuk kemi arritë me u taku me ministren Rizvanolli prej që është ministre, s`di sa herë kemi kërku takim direkt me ministren. As me kryeministrin nuk jemi taku. Tash së fundmi ministria e ka ftu në takim kryeshefin ekzekutiv, por nuk e ka ftu sindikatën me dëgju edhe zërin e punëtorëve, sepse ne nuk bëjmë politika, ne i paraqesim problemet” – ka thënë Jonuzi në një intervistë në Kallxo.com.
Ai ka bërë të ditur se minatorët kanë vonesa të vazhdueshme në marrjen e pagave, ndërsa paga e muajit maj nuk ju është dhënë ende e plotë.
“Jo nuk e kemi marrë rrogën e plotë, kemi pasur vonesa të vazhdueshme. Në maj nuk është dhënë paga e plotë, vetëm një pjesë”.
/Demokracia