Albin Kurti ka qenë gjithmonë kundër momenteve dhe arritjeve historike të shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës.
Fati i tij politik, duket se është i lidhur pashmangshmërisht për të qenë gjithmonë kundër çdo arritje kombëtare, shkruan Demokracia.com.
Disa nga këto momente historike, që i dhanë vulë të ardhmes së shqiptarëve të Kosovës, janë Rambujeja (1999), që solli intervenimin e NATO-s mbi Serbinë dhe largimin nga Kosova të ushtrisë serbe, Vjena (2005/07), që solli përcaktimin e statusit final politik të Kosovës dhe Pavarësia e Kosovës (2008), por që të gjitha të kundërshtuara nga Albin Kurti, njeriu që sot është bërë Kryeministër i Kosovës.
Sikur të mos mjaftohej me të gjitha këto, Kurti ka vendosur të dalë edhe kundër një arritje tjetër historike të shqiptarëve, por kësaj radhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Momenti historik për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për kryeministrin e parë shqiptar, ka arritur. Më 28 janar 2024, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të votojë për formimin e Qeverisë teknike me kryeministër një shqiptar, Talat Xhaferin, shkruan Demokracia.com.
Që kjo do të ndodhte ishte paralajmëruar gati katër vite më herët nga ish-drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, në cilësinë e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, më 22 qershor 2020.
Pavarësisht këtij momenti historik nëpër të cilin po kalojnë shqiptarët me rol shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë opozitarizmit të tij kapej rreth ideve për avancimin e çështjes kombëtare shqiptare në rajon, as kësaj radhe nuk është pozicionuar në mbështetje të realizimit të kësaj arritjeje historike.
Në vend se t’i shërbejë unifikimit të spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Kurti po e bën të kundërtën. Ai është pozicionuar qartë politikisht, pikërisht në mbështetje të tri partive politike shqiptare që përbëjnë Lëvizjen Evropiane për Ndryshim (LEN), deputetët e të cilave nuk do të marrin pjesë në seancën për votimin e Qeverisë me kryeministër një shqiptar, Talat Xhaferin, ish-komandant i UÇK-së. /Demokracia.com/