Një 12-vjeçar i dyshuar për vrasjen e një bashkëmoshatari dhe plagosjen e dy vajzave në shkollën e tij ishte i motivuar nga bullizmi, tha policia finlandeze.
I dyshuari u ndalua në një hapësirë jo shumë larg shkollës në Vantaa të martën në mëngjes, një orë pasi kishte hapur zjarr ndaj fëmijëve të tjerë, raporton televizioni BBC.
I vrari dhe dy të plagosurat ishin gjithashtu të moshës 12-vjeçare. Dy vajzat ndodhen ende në spital.
Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka bërë të ditur se në mesin e të plagosurave është një vajzë shqiptare nga Kosova.
Në ndërtesa publike në mbarë vendin të mërkurën u ul flamuri në gjysmështizë për ta respektuar ditën e zisë.
Në një deklaratë, policia tha se djali ishte transferuar në fillimin të këtij viti në shkollën “Viertola” në Vantaa, në veri të kryeqytetit Helsinki.
Policia tha se i dyshuari ka thënë se ishte bullizuar. Ai u ndalua në zonën Siltamaki, gati 4 kilometra larg vendit të të shtënave. Edhehetimet fillestare e mbështesin këtë konkluzion, thanë autoritetet.
Policia ka hapur një hetim për vrasjen dhe vrasjet në tentativë. Megjithatë, për shkak të moshës, i dyshuari nuk mund të mbahetpenalisht përgjegjës dhe tashmë u është dorëzuar shërbimeve të kujdesit social.
Për më tepër, policia gjithashtu ka zbuluar se i dyshuar kishte kërcënuar nxënës të tjerë rrugës për në shkollë në zonën Siltamaki.
Sipas televizionit finlandez “MTV Uutiset”, ai kishte vendosur një maskë dhe dëgjuese kundër zhurmës gjatë të shtënave në shkollë.
Shkolla u rihap të mërkurën, por Katri Kalske, nënkryetare e qytetit Vantaa, tha se objekti do të mbyllet më herët se zakonisht./Nacionale