Kremlini po e përdor të djathtën ekstreme për të depërtuar në Parlamentin e Bashkimit Evropian

- in Lajme

Në mbrëmjen e 30 qershorit të vitit 2020, një aeroplan i kompanisë ruse Severstal ateroi në Simferopol, kryeqyteti i Krimesë i aneksuar nga Rusia në mars të 2014-së.

Rreth gjysma e pasagjerëve që udhëtonin në atë rajon me këtë fluturim special nga Moska ishin politikanë evropianë, por kishte politikanë dhe aktivistë nga vende të tjera, si Afganistani, Kili dhe Venezuela.

Politikanët u shoqëruan nga përkthyes – kryesisht femra ruse në të 20-tat dhe 30-tat – disa prej tyre me përvojë pune në rrjetin televiziv Russia Today (RT), që kontrollohet nga shteti rus, përkatësisht Ministria e Jashtme e Rusisë.

Qëllimi i udhëtimit të këtyre politikanëve në Krime ishte të “vëzhgonte” votimin për amendamentet e Kushtetutës së Federatës së Rusisë – ndryshime që presidenti Vladimir Putin i propozoi në janar të 2020-së, në mënyrë që të kishte mundësinë e qëndrimit në pushtet deri në vitin 2036.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë nuk ftoi vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ose Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), siç bëjnë zakonisht të gjitha vendet.

Sidoqoftë, duke ndjekur traditën ruse në përdorimin e mekanizmave për zgjedhje të dyshimta, Moska ftoi dhjetëra politikanë, gazetarë dhe aktivistë të huaj, të cilët ishin të gatshëm të vlerësonin çdo proces zgjedhor në Rusi si demokratik, të hapur, të lirë dhe të ndershëm.

Disa prej tyre “vëzhguan” votën vetëm në Rusi, ndërsa udhëtarët e Severstalit u sollën gjithashtu për të bërë të njëjtën gjë në Krime.

Pjesa më e madhe e delegacionit ishte një grup eurodeputetësh francezë, si Virginie Joron, Hervé Juvin, Jean-Lin Lacapelle, Philippe Olivier dhe Thierry Mariani – të gjithë anëtarë të së djathtës ekstreme Fronti Kombëtar të udhëhequr nga Marine Le Pen dhe të gjithë anëtarët e grupit të djathtës ekstreme në Parlamentin Evropian.

Le Pen është një mbështetëse e vendosur e Kremlinit dhe ishte e preferuara e Moskës në zgjedhjet presidenciale franceze të 2017-së.

Politikanët dhe aktivistët e tjerë evropianë që mbërritën në Simferopol nuk ishin më pak të rëndësishëm.

Lista e të ftuarve

Ish-deputeti suedez Erik Almqvist, i cili ishte anëtar i ekstremit të djathtë në vendin e tij, tani drejton “median alternative” Exakt24.

Aktivisti finlandez Johan Bäckman, i cili u shpall persona “non-grata” në Estoni dhe Moldavi për aktivitetet e tij pro-Kremlin dhe i cili në vitin 2018 mori një dënim me burg prej 12 muaj për shpifje dhe ndjekje të gazetarit finlandez Jessikka Aro, i cili ky i fundit hetoi lajmet e rreme ruse.

Aktivisti malazes anti-NATO, Igor Damjanoviq është personi i cili shkruan rregullisht për IN4S, gjithashtu ai komenton rregullisht për mediat ruse që janë të afërta me pushtetin.

Volker Tschapke, një funksionar gjerman i Afric, një rrjet i agjentëve me ndikim rus në Afrikë dhe Evropë, ishte krijuar nga biznesmeni Yevgeny Prigozhin.

Martin Raykov, një ish-anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Bullgari.

Dhe, Lyubomira Gancheva, nënkryetare e partisë bullgare të qendrës së majtë Alternativa për Ringjalljen Bullgare.

Ndërsa ishin në Krime, udhëtarëve të aeroplanit kompanisë Severstal iu bashkua edhe një tjetër “vëzhgues” evropian, Jevgenijs Korols, një nga udhëheqësit e partisë letoneze anti-imigrant, euroskeptik dhe haptas pro-rus, Partia e Veprimit.

Pjesa franceze e delegacionit drejtohej nga Thierry Mariani, ish-deputeti i qendrës së djathtë nga viti 2012-2017, ku më herët ishte ministër i Transportit nga viti 2010-2012, i ishte bashkuar Frontit Kombëtar në vitin 2019 ku pastaj u zgjodh si eurodeputet.

Mariani kishte qenë i angazhuar në aktivitete pro-Kremlinit për shumë vite, ku në veçanti ai kishte udhëtuar disa herë në mënyrë të paligjshme në Krime. Ai shoqërohej nga këshilltarja e tij 30-vjeçare.

Kush është Tamara Volokhova?

Tamara Volokhova mbase ishte “vëzhguesja” më intriguese. Një qytetare ruse, por një tjetër manifestim se si Rusia vazhdon të depërtojë në Parlamentin Evropian me përdorimin e ekstremit të djathtë evropian.

Ajo u zhvendos nga Rostov-on-Don në Strasburg në fund të viteve 2000 për të studiuar për komunikim dhe marrëdhënie me publikun në Shkollën Evropiane të Komunikimit.

Volokhova mori praktikë në Këshill të Evropës në vitin 2012, përpara se të kalonte në një praktikë në Drejtorinë e përgjithshme për Komunikim në Parlamentin Evropian në vitin 2013.

Vitin pasues ajo ishte një atashe parlamentare me grupin e djathtë të euroskeptikëve, Evropa e Lirisë dhe Demokracisë, bashkë-kryesuar nga udhëheqësi i atëhershëm i UKIP, Nigel Farage dhe anëtari i partisë Lidhja e ekstremit të djathtë italian, Francesco Speroni.

Në vitin 2014, pas zgjedhjeve parlamentare evropiane të majit, Volokhova mori një kontratë pune si atashe parlamentare për të punuar me Aymeric Chauprade, atëherë anëtar i Frontit Kombëtar, këshilltar i Le Pen për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe një i dashur i medieve të kontrolluara nga Kremlini.

Më 16 mars po të atij viti, me ftesë të administratës presidenciale ruse, Chauprade ishte një nga “vëzhguesit” e referendumit të paligjshëm në Krime që u pasua me aneksim nga Rusia.

Në të njëjtin vit, Chauprade mori pjesë në negociatat midis shoqatës së financimit politik të Jean-Marie Le Pen, Cotelec që u përdor për të thithur fonde për fushatat elektorale të anëtarëve të Frontit Demokratik, nga njëra anë dhe kontakteve ruse, të cilët përfundimisht i dhanë 2 milionë euro përmes Vernonsia Holdings e regjistruar në Qipro.

Në shtator të 2014-së, vetë Fronti Demokratik mori një kredi prej 9.4 milionë euro nga një bankë ruse.

Si atashe e Chauprade, Volokhova koordinoi udhëtimin e tij në Moskë, në konferencën “pro-familjes” të quajtur “Familja e madhe dhe e Ardhmja e Njerëzimit”, ku ai kishte privilegjin të merrte pjesë në seancën plenare ulur në një tryezë me patriarkun e Moskës dhe të gjithë Rusisë, Vladimir (Kirill) Gundyaev, kryrabinin Berel Lazar, myftiun suprem Talgat Tajuddin si dhe me dy prodhuesit të lajmeve të rreme me ndikim në Evropë – Vladimir Yakunin dhe Konstantin Malofeev.

Volokhova gjithashtu shkruaji tre artikuj për faqen e internetit të Chauprade – të gjitha të hartuara nga perspektiva e Kremlinit mbi NATO-n, SHBA-në dhe luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.

Në vitin 2015, Chauprade u largua nga Fronti Demokratik, por Volokhova mbeti atasheu i saj.

Me kërkesën e Chauprade, në vitin 2016, ajo u afrua me Yakunin dhe sugjeroi që Instituti Botëror Multipolar që ishte themeluar në vitin 2014, të jetë një element i rëndësishëm i projektit “Dialogu i Qytetërimeve”. Megjithëse Chauprade dhe Yakunin u takuan në Shën Petersburg në janar të 2016-së, iniciativa dukej se kishte dështuar.

Pavarësisht largimit të tij nga e djathta ekstreme, ai mund të duket ende shumë toksik për Yakuninin, i cili kishte vuajtur pas pjesëmarrjes së tij në një takim të vitit 2014, ku morën pjesë gjithashtu politikanë gjermanë të ekstremit të djathtë.

Volokhova në vitin 2017 u gradua dhe u bë këshilltare e politikave, e punësuar drejtpërdrejt nga grupi i ekstremit të djathtë Evropa e Kombeve në Parlamentin Evropian.

Si anëtare e sekretariatit të këtij grupi, Volokhovas iu dha qasje në punën e Komitetit të Parlamentit Evropian për Çështjet Kushtetuese, Komitetin e Kontrollit të Buxhetit, Komisionin për të Drejtat e Grave dhe Barazi Gjinore dhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Rusi.

Rregullimi i vizave ruse për euroskeptikët

Duke shërbyer si këshilltar politik në partinë Evropa e Kombeve, Volokhova ndihmoi në forcimin e lidhjeve midis politikanëve të ekstremit të djathtë dhe akterëve rusë.

Në vitin 2017, ajo u përfshi në procesin e rregullimit të vizave ruse për një numër eurodeputetësh të këtij grupi, duke përfshirë Nicolas Bay të Frontit Demokratik, Edouard Ferrand, Dominique Martin, Jowlle Méllin, Mireille d’Ornano dhe Mylène Troszczynski.

Janice Atkinson e cila në atë kohë ishte dëbuar nga UKIP, Harald Vilimsky i partisë Austriake të Lirisë dhe Marco Zanni, një ish-anëtar i Lëvizjes Pesë Yje.

Volokhova gjithashtu kërkoi të rregullonte vizat ruse për këshilltarët e eurodeputetëve dhe këshilltarëve të Evropa e Kombeve. Për të kërkuar viza ruse për ta, Volokhova ishte në kontakt me Leonid Slutsky, kryetar i Komitetit për Çështjet Ndërkombëtare të Parlamentit rus.

Slutsky kishte kohë që ishte përfshirë në avancimin e interesave të politikës së jashtme ruse në Evropë dhe ai ishte veçanërisht aktiv në rekrutimin e politikanëve evropianë për çështjen e Kremlinit, organizimin e misioneve të rreme të vëzhgimit të zgjedhjeve dhe koordinimin e përpjekjeve që synonin legjitimimin e aneksimit rus të Krimesë.

Për të shmangur çdo dyshim, ai përdori organizatën e tij Fondacioni Rus i Paqes për të lehtësuar nxjerrjen e vizave ruse për eurodeputetët e Evropës së Kombeve të zgjedhur nga Volokhova.

Këta deputetë përdorën vizat e tyre ruse për një numër qëllimesh. Për shembull, në shtator të 2017-së, kompania ruse e naftës Lukoil-Nizhnevolzhskneft organizoi një vizitë në rajonin e Astrakhan për eurodeputetin Zanni, në mënyrë që të diskutonte bashkëpunimin e investimeve midis Astrakhanit dhe Italisë.

Një shembull tjetër është një vizitë e Troszczynskit dhe Atkinsonit për të kryer rolin e “vëzhguesve të pavarur”, duke lavdëruar zgjedhjet presidenciale ruse të marsit të 2018-së.

Me riorganizimin e Evropa e Kombeve në grupin e Identitetit dhe Demokracisë në verën e vitit 2019, Volokhova u bashkua me sekretarinë dhe filloi të punojë me eurodeputetin pro-rusë Thierry Mariani.

Edhe më lehtë për Moskën, Volokhovas iu dha qasja në Komitetin e Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme, si dhe në nën-Komitetin për Siguri dhe Mbrojtje.

Për kuriozitet, kur Chauprade ishte ende një eurodeputet dhe pjesëmarrës në këto dy komisione, ai kishte, për disa muaj, një praktikante tjetër ruse: Elizaveta Peskova – vajza e zëdhënësit të Vladimir Putinit, Dimitry Peskov.

Si praktikante, të paktën zyrtarisht, Peskova nuk kishte qasje në ndonjë informacion të ndjeshëm.

Sidoqoftë, si këshilltare politike, Volokhova mori qasje të plotë në gjithçka që lidhet me punën e dy komiteteve të lartpërmendura dhe zyrave të tjera në Parlamentin Evropian.

Deri në vitin 2020, Volokhova, e cila e përshkruan veten si një “anti-demokrate” në njërën nga profilet e rrjeteve sociale, tashmë ishte dhënë nënshtetësia franceze derisa mbante atë ruse.

Shtetësia franceze e lejoi atë të kandidonte në zgjedhjet komunale të vitit 2020 në zonën e Bas-Rhin. Me sa duket, ajo kandidoi në listën e Frontit Demokratik. Ajo ishte e pesta në listën e 65 kandidatëve, mirëpo partia nuk pati sukses në ato zgjedhje.

Pavarësisht nga dështimi në zgjedhjet komunale, Volokhova mbetet një funksionare e rëndësishme ruse në Parlamentin Evropian, si në Strasburg ashtu edhe në Bruksel.

Hyrja e saj në komitetet e Parlamentit Evropian që ndihmojnë në formësimin e politikave të jashtme dhe të mbrojtjes, të kombinuara me vendin e shefit të saj Mariani në komitetin e posaçëm për ndërhyrjet e huaja – një zyrë e krijuar, në veçanti, për të hetuar ndërhyrjen ruse në çështjet e BE – është një kërcënim i qartë i sigurisë për Parlamentin Evropian që duhet adresuar urgjentisht. /Euobserver/KP