Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Salih Mustafës, i cili u dënua me 26 vjet burgim për krime lufte nga Gjykata Speciale, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se pjesa qëndrore e historisë krenare siç është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë ish-krerët e saj që po mbahen në Hagë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare. Pjesë qendrore e kësaj historie krenare, të cilën nuk mund ta ndryshojë asnjëherë askush, janë çlirimtarët që po mbahen në Gjykatën Speciale pa të drejtë”, shkroi ai.
Sipas Krasniqit, dënimi që iu shqiptua sot Salih Mustafës është i rëndë dhe nxitë indinjatë te secili shqiptar. Ai shpreson që do të korrigjohet në Apel dhe kështu sipas tij do të dëshmohet serioziteti dhe paanëshmëria e Gjykatës.
“Dënimi i sotëm Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, përfundoi Krasniqi.