Krasniqi: Ministër po dukesh i vetmuar, nuk është normale që sekretari të udhëheqë procesin e vaksinave

- in Lajme

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se ministri po duket i vetmuar pasi nuk e ka mbështetjen e kryeministrit për sigurimin e vaksinës.

Ai tha se nuk është normale që procesin e blerjes së vaksinave të lihet në dorën e sekretarit të Ministrisë, derisa tha se duhet të marrin shembull kryeministrin e Shqipërisë, të cilin e quajti kryeministër i kryeministrit të Kosovës.

Krasniqi: Nuk është normale me e udhëheq këtë proces një sekretar i ministrisë

“Edhe ti ke abstenuar prej udhëheqjes së betejës me pandeminë për faktin që vet the që nuk je në krye të procesit për sigurimin e vaksinës që ishte për mua një befasi jashtëzakonisht e pakëndshme. Nuk është për mendimin tim normale me e udhëheq këtë proces një sekretar i ministrisë edhe në koftë jashtëzakonisht i mirë, e aq më shumë për faktin që ai është në ministri më duket tash e ke kthyer që nja një muaj ditë. Vetëm nëse e merr shembull Shqipërinë, kryeministri i Shqipërisë që është po ashtu kryeministri i kryeministrit tonë ai e ka udhëhequr krejt procesin dhe vet ka shkuar në SHBA vitin e kaluar me e diskutua me Pfizer për temën për të cilën ne po flasim sot”, tha ai.

Ai tha se turpi i këtij debati parlamentar ka qenë tendenca e deputetëve të shumicës lidhur me numrin e vdekjeve në Kosovë, ku tha se deklarojnë se kanë vdekur 10 veta në vend të 14 që kanë vdekur para një jave.

Krasniqi u shpreh se e kupton konfidencialitetin e kontratës, por që tha se nuk e kupton që nuk mund të japin asnjë datë të përafërt.

Atij i është përgjigjur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se në krye të betejës është ai, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, derisa tha se nga muaji maj kur do të fillojnë të vijnë vaksinat ky proces nuk do të ndalet.

Vitia: Në krye të betejës jam unë, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani

“Në asnjë moment nuk kam thënë se nuk jam në krye të betejës sa i përket sigurimit të vaksinave për COVID-19, është në krye të betejës asnjëherë nuk kam thënë, në krye të ekipit negocues dhe shumë mirë e dini se edhe ju keni qenë ministër janë disa çështje të deleguara dhe në krye të betejës natyrisht se jam unë. Edhe dje nëse nuk më keni dëgjuar po e përsëris prapë, në krye të betejës është edhe kryeministri Kurti edhe presidentja Osmani, mirëpo përgjegjësitë kryesore z.Krasniqi edhe ju qytetarë të nderuar i kam unë. Prandaj, flas me përgjegjësi të plotë se nga maji kur të fillojmë me ardhë vaksinat ky proces nuk do të ndalet po do të vijnë vazhdimisht vaksina”, tha ai.

Ai tha se të gjitha ato që i ka deklaruar do t’iu qëndrojë deri në fund.

Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, ka pyetur sërish ministrin Vitia se po flet vetëm për Pfizer dhe asnjë fjalë për vaksinën e Modernës, Johnson and Johnson, asnjë fjalë për marrëveshje direkte me AstraZeneca se a ka mundësi me marrë vaksina edhe krejt këtyre.

Në përgjigjen e tij, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, tha se me të gjitha kompanitë prodhuese kanë kontaktuar dhe me të gjitha janë në negocim.

Vitia: Me të gjitha kompanitë prodhuese kemi kontaktuar

“Me të gjitha kompanitë prodhuese kemi kontaktuar, me të gjitha kompanitë prodhuese jemi në negocim, arsyeja pse nuk i kemi përmendur të tjerat është se ato nuk janë në gjendje me na sjell më herët vaksinat sesa kompania në fjalë. Arsyeja është e thjeshtë nuk janë kontaktuar me kohë dhe tash jemi në situatën kur jemi duke kontaktuar dhe kemi hyrë në radhën e tyre, por përgjigja e tyre është nuk jemi kontaktuar me kohë. Do të mund të marrim edhe nga to vaksina, por jo shpejt sa do të marrim nga kompania që thash më herët”, tha ai.

Ndaj kësaj ka deklaruar ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili tha se aplikimi i parë zyrtar për vaksinë ka qenë 30 qershori, e që nga atëherë ai tha se ka filluar angazhimi i tyre përmanent për sigurimin e vaksinave.

Zemaj: Aplimi i parë me 30 qershor nga ajo ditë ka filluar angazhimi jonë përmanent për sigurimin e vaksinave

 

“Aplikimi i parë zyrtar i Republikës së Kosovës dhe i MSH për sigurimin e vaksinës ka qenë 30 qershori 2020, do të thotë nga ajo ditë ka filluar angazhimi jonë permanent për sigurimin e vaksinave në të gjitha nivelet z.ministër edhe me Modernën edhe me Johnson and Johnson kur kanë dalë në përdorim, jo para se me marrë licencimin, vetëm duhet të jemi të sinqertë dhe korrekt. Asnjëherë në dalje nga kontrolla të situatës pandemike. Jemi i vetmi vend pothuajse edhe në rajon por edhe më tej që tri elemente nuk na kanë ndodhur që janë pozitive në menaxhimin dhe mbajtjen nënkontroll të situatës pandemike. Asnjë qytetarë i Republikës së Kosovës nuk ka mbetur pa shërbime shëndetësore, asnjë i vetëm nuk ka vdekur jashtë institucioneve spitalore dhe asnjë i vetëm nuk ka bërë vetëvrasje për shkak të situatës me pandeminë”, tha ai. /KP