Krasniqi: Jam shumë krenar me të arriturat e Kosovës -Video

- in Lajme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nëpërmjet një videomesazhi ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2023.

Ai tha se është e natyrshme që në raste festash të përpiqemi t’i harrojmë përjetimet e vështira, dhe të shohim përpara me besim – se, megjithatë, jeta për secilin prej jesh do të jetë më miqësore, më e mirë, me më shumë momente të lumtura.

“Por, e vërteta nuk duhet mohuar asnjëherë. Për ta kuptuar më qartë rrugën që duhet ta ndjekim. Për t’u dalë në ballë sfidave dhe për ta lartësuar atdheun tonë – burimin e pashtershëm të dashurisë dhe ëndrrave tona”, tha Krasniqi.

Më tej ai theksoi se ky vit nuk ishte aspak i lehtë. Për shoqërinë tonë, për shtetin tonë. Me një gjendje të rënduar ekonomike, me një shëndetësi të lënë pas dore, me një qeverisje të dobët dhe arrogante, me një situatë të tensionuar politike, me një demokraci të rrezikuar, askush nuk mund të ndjehet mirë.

Kryetari i PDK-së shtoi se të rinjtë tanë, të shkolluar e punëtorë, që kanë krijuar ose duan të krijojnë familje, e mendojnë edhe largimin nga vendi. Ai tha se i kupton brengat e tyre, ashtu si dhe ëndrrat e tyre. Kjo është një e vërtetë që i dhemb secilit, e që duhet të gjithëve të na shtojë angazhimin dhe vullnetin për më shumë punë.

Sipas tij Kosova ka kaluar dikur sfida edhe më të forta. Të tilla që e vënë në pikëpyetje ekzistencën tonë. Por, besimi i madh në ëndrrat tona dhe në njëri-tjetrin, shpirti i sakrificës, dashuria e pamatshme për vendin, na kanë bashkuar për ta arritur atë që dukej e pamundur: lirinë dhe shtetin.

“Unë jam shumë krenar me të arriturat e Kosovës. Dhe, e di që kështu ndjehet secili prej jush. Kosova është vend i mrekullueshëm. Me një energji të pashtershme njerëzore. Me të rinj e të reja të talentuar e profesionistë. Me gra e burra që kanë një histori kontributi të çmuar në shërbim ndaj vendit”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së shtoi se mbi këto shtylla – energjitë e reja dhe përvojën e dëshmuar – është e mundur ta ndërtojmë të ardhmen që e meriton Kosova jonë e dashur. Prandaj, më shumë se kurrë na duhet besimi dhe dashuria për njëri-tjetrin, për të ardhmen, për atdheun tonë.

“Uroj që viti 2023 të jetë më i mirë dhe më i begatë. Për ju, për familjet tuaja, për shtetin tonë. Dhe, me mall e nga larg, edhe këtë vit, urimet më të përzemërta ua dërgoj luftëtarëve të lirisë që tash ndodhen në Hagë, e të cilët ia dhuruan Kosovës festën më të madhe – lirinë dhe pavarësinë, dinjitetin dhe krenarinë. Gëzuar të gjithëve”, tha Memli Krasniqi.

/GazetaSinjali