Komiteti Olimpik i Kosovës në kuadër të Javës Olimpike sot ka shënuar 23 qershorin si datën e Ditës Olimpike me aktivitete të ndryshme sportive.
Ngjarja kryesore u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ku morën pjesë 300 nxënës të cilët vrapuan në shtegun prej 60 metrave duke bërë kështu një garë simbolike në shënim të kësaj dite.
E pranishme në këtë ngjarje së bashku më Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi ishte edhe zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport Daulina Osmani.
Më këtë rast, kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha se shënimi i Ditës Olimpike ka për qëllim që fëmijët të nisin rrugës për t’u bërë sportistë të njohur në arenën ndërkombëtare dhe ta përfaqësojnë Kosovën sa më mirë.
Krasniqi: Qëllimi i shënimit të Ditës Olimpike është që fëmijët të nisin rrugën për t’u bërë sportistë të mëdhenj të së ardhmes
“Këtë herë, aktivitetin tonë kryesor po e organizojmë në stadiumin që mban emrin e legjendës së futbollit mbarshqiptarë, “Fadil Vokrri”. Uroj që një ditë ju fëmijë të dashur të mos e vizitoni këtë stadium vetëm për aktivitete të tilla por të bëheni sportistë të mëdhenj dhe ta përfaqësoni Kosovën në arenën ndërkombëtare. Në këtë moment, moshatarët e juaj janë mbledhur edhe në stadiumet tjera të kryeqytetit tone. Në “Ramiz Sadiku”, “Flamurat”, “2 Korriku” dhe “Rilindja”. Por Dita Olimpike nuk i ka mbledhur vetëm fëmijët e Prishtinës. Pjesë e shënimit të kësaj dite, pjesë e saj janë edh e15 komuna të tjera të cilat kanë mbledhur mijëra fëmijë me synimin e vetëm që ata t’i bashkohen sportit, të merren me sport dhe të largohen nga rrugët e këqija….Sot të gjithë ju jeni kampion, të gjithë ju do të shkoni në shtëpitë tuaja të gëzuar dhe krenar që keni festuar Ditën Olimpike dhe keni fituar medalje.”, tha Krasniqi.
Ndërsa zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani tha se Dita Olimpike nuk duhet të jetë aktiviteti i vetëm sportiv, por se kjo duhet të shtrihet sa më shumë në të gjithë Kosovën duke nisur që nga familjet e deri tek organizatat dhe institucionet shtetërore.
Osmani: Aktiviteti sportiv duhet të zgjerohet sa më shumë duke nisur që nga familjet e deri te organizatat dhe institucionet më të mëdha shtetërore
“Dita Olimpike shënon dhe feston pjesëmarrjen dhe përfshirjen ne aktivitetin sportiv. Është shumë e rëndësishme që të gjithë në të kuptojmë rëndësinë që sporti dhe aktiviteti sportiv luan në mirëqenien e shoqërisë tone si tërësi e ne veçanti të fëmijëve dhe rinisë tonë kosovare. Përmes sportit dhe aktivitetit sportiv, qoftë ai rekreacional e profesional ne mund të iu mësojmë fëmijët për vlerat olimpike…Në anën tjetër më lejoni të potencoj Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia ku në një prej fjalimeve të tij ka potencuar se në vizitat sistematike të shëndetësisë tone, fëmijët e klasëve të para, të pesat e të nënta të gjithë rezultojnë të jenë mbipeshe dhe kjo, faktori kryesor për këtë gjendje është mungesa e aktiviteti sportiv, andaj është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të kuptojmë dhe ta fuqizojmë sportin si mekanizëm të cilin e shfrytëzojmë për ruajtjen dhe zhvillimin e shëndetit dhe mirëqenies tonë.”, tha Osmani.
Osmani gjithashtu bëri thirrje që aktivitetet sportive të shtrihen edhe në fusha të tjera duke filluar nga familja e deri tek organizatat dhe institucionet më të mëdha shtetërore.
Ndryshe, përveç Prishtinës, Dita Olimpike po shënohet edhe në 15 komuna të tjera të Kosovës./KP