Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i është drejtuar disa institucioneve të Kosovës për të verifikuar nëse rreth 5 mijë kandidatët e subjekteve politike janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media theksoi se shkresat për verifikim të kandidatëve janë dërguar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe në Dogana të Kosovës.
Elezi: Kërkohet verifikimi për 3 mijë e 205 kandidatë në zgjedhjet e tetorit
Video
“Ju njoftoj se janë dërguar në institucione të ndryshme shkresa të veçanta nga të cilat, në bazë të fushës së përgjegjësisë që mbulojnë këto institucione, është kërkuar konfirmimi i përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave i janë bashkangjitur edhe listat me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike dhe të cilat kanë kërkuar nga KQZ-ja që të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Edhe rreth 2 mijë emra të tjera do të dërgohen së shpejti në këto institucione”, tha Elezi.
Ndërsa, në neni 29 i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ai theksoi se janë të listuara të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj është kërkuar për secilin nga kandidatët nga secili prej këtyre institucioneve të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë.
Pika më e përfolur e këtij neni, edhe nga zgjedhjet e kaluara parlamentare të 14 shkurtit, Elezi tha se është pika ‘Q’, e cila precizon se kandidat nuk mund të jetë një person “i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”.
Elezi: Kandidat s’mund të jetë personi i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës
Video
“Pikat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Prandaj, është kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të na dërguar emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, theksoi ai.
Ndërkohë, KQZ-ja ka kërkuar përgjigje edhe nga tri ministri, ajo e punëve të brendshme, punëve të jashtme dhe e mbrojtjes, nëse nga lista e kandidatëve ka pjesëtarë të forcave të armatosura, pjesëtarë të Policisë së Kosovës apo përfaqësues diplomatik.
Gjithashtu, zëdhënësi i KQZ-së shpjegoi se sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, përgjigjet e këtyre institucioneve do t’i presin më së largu deri më 24 gusht, ndërsa shpjegoi se kur do të bëhet certifikimi i kandidatëve.
Elezi: Në rast të mos certifikimit të ndonjë kandidati, pala e pakënaqur mund të paraqes ankesë në PZAP
Video
“Pas pranimit të përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatis rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë kandidati, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendimet më së largu deri më 1 shtator. Në rast të mos certifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”, tha Elezi.
Më 16 gusht është përmbyllur afati për aplikim të subjekteve politike të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Sipas të dhënave të KQZ-së, 94 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim, prej të cilave 32 janë parti politike, 1 koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur./KP