KQZ DO TË PUBLIKOJË RAPORTIN E PAAUDITUAR TË SHPENZIMEVE TË PARTIVE POLITKE PËR ZGJEDHJET E 14 SHKURTIT (VIDEO)

- in Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se së shpejti do të publikojë shpenzimet e partive politike në fushatën e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u tha se do të bëhet publike dosja e paaudituar e informimit publik për zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Përmes dosjes do të publikohen donatorët e secilit subjekt politik, shumat më të larta se 100 euro dhe raportet e publikimit financiar të fushatës së subjekteve politike të dorëzuara në KQZ.

Buleshkaj: Dosja e informimit publik për zgjedhjet e 14 shkurtit të miratohet e paaudituar

(Video)

“Duke pasur parasysh që këto raporte financiare nuk janë të audituara me radhë, por edhe raporti i fundit nuk është afër që të auditohet, zyra sipas praktikes së krijuar dy vitet e fundit rekomandon publikim e kësaj dosje pa raporte të auditimit, për zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt për Kuvendin e Kosovës, ashtu siç e bënë praktikë me shenjën që këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime gjatë procesit të auditimit”, ka bërë të ditur drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim, Yll Buleshkaj.

Gjithashtu u bë e ditur se KQZ do të publikojë edhe raportet e publikimit financiar të kandidatëve që janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se janë në proces të përgatitjeve për organizmin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Ahmetaj: Jemi në proces të përgatitjeve për organizmin e zgjedhjeve lokale

(Video)

“Aktualisht jemi në procesin e nominimit të Këshillave Komunale Zgjedhore, përmes zyrtarëve të lartë komunal të zgjedhjeve nga secila komunë deri në këtë kohë të raportimit, janë pranuar nominimet nga subjektet politike konfrom rregullës 18/16 për emërimin dhe formimi e komisioneve komunale zgjedhore. Sekretariati është në fazën e plotësimeve të këtyre nominimeve, për të përgatitur listën e nominimeve të KKZ-ve”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ndër të tjera u miratua edhe vendimi për zgjatjen e orarit të punës.