Një kosovar nga kantoni Vaud i Zvicrës, DJ me profesion, vdiq tragjikisht në një aksident të rëndë me Ferrari të dielën në Italinë veriore.
Vetura u copëtua, copat u shpërndanë dhe flakë të mëdha u panë në autostradë. Mediat italiane shkruajnë se Ferrari GT C4 i bardhë kishte qenë duke lëvizur me mbi 200 km/h kur ka rrëshqitur në rrugën e lagësht dhe është përplasur në anësore.
Zjarrfikësve iu desh mjaft mund që ta nxirrnin kosovarin e vdekur nga vetura.
Mediumi zviceran, Blick shkruan se 40-vjeçari të shtunën në mbrëmje – vetëm disa orë para vdekjes – ishte në një klub nate në kantonin e Valais dhe pas performancës ishte nisur me Ferrari për në Itali.
Vëllai i tij 41-vjeçar ka konfirmuar se vetura i përkiste atij.
“Është e vështirë ta përshkruash me fjalë këtë person të madh dhe pozitiv. Por nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjalë, do të thosha se ai ishte personi më i dashur që e kam njohur”, tha ai.