Kosova vazhdon të importojë mijëra kamera vëzhgimi të prodhuara në Kinë, edhe pse ato janë të vendosura në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut, shkruan Demokracia.com.
Sipas Departamentit Amerikan të Tregtisë, kamerat e llojit Dahua Technology dhe HikVision gjenden në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2019, për shkak të ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përkatësisht me represionin që Pekini u bënë ujgurëve myslimanë në provincën Ksinjiang.
Ashtu si në shumë vende të tjera, të dhënat e doganave kosovare nuk bëjnë dallim ndërmjet kompanive të ndryshme dhe llojit të kamerave të importuara. Por, kamerat e vëzhgimit janë në përdorim të gjerë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.
Kosova importon kamera nga disa vende të botës, si Italia, Tajlanda, SHBA, etj. Demokracia.com ka nxjerr statistikat e importit të kamerave të importuara nga Kina dhe në to shihet se ky shtet vazhdon të dominojë në tregun e Kosovës, ndonëse në këtë gjashtëmujor më pak se vitet e kaluara.
Një kod i veçantë doganor i quajtur “Për kamera” tregon se janë blerë 10,000 euro në këtë gjashtëmujor. Ndërsa, kodi tjetër që ka të bëjë me kamerat vëzhguese, që quhet “Kamera televizive, kamera dixhitale dhe video kamera regjistruese”, tregon se nga janari deri në fund të qershorit janë importuar mijëra kamera nga Kina në një vlerë prej 180,000 euro.
Rreth 16,000 euro janë blerë kamera “të llojit për përdorim në kamerat fotografike apo video kamerat dhe projektorët; të llojit për përdorim në aparaturat tjera të kapitullit 90”. “Për kamera, projektorë, ose zmadhues apo zvogëlues fotografikë”, janë blerë rreth 30,000 euro, shkruan Demokracia.com.
Në vitin 2019, Departamenti Amerikan i Tregtisë futi në listën e zezë disa kompani kineze të teknologjisë, duke përfshirë Dahua Technology dhe HikVision, për shkak të ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë. Këto kompani janë akuzuar për ndihmën e ofruar në represionin ndaj minoritetit ujgur mysliman në provincën Ksinjiang, përmes mbikëqyrjes masive dhe teknologjisë së njohjes së fytyrës. Pavarësisht këtij ndalimi, shumë vende, përfshirë Kosovën, vazhdojnë të importojnë dhe përdorin pajisje nga këto kompani për shkak të kostos së ulët dhe aksesit të lehtë. Në Kosovë, kamerat kineze janë instaluar gjerësisht në hapësira publike dhe objekte institucionale, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe privatësinë e qytetarëve. Autoritetet kosovare ende nuk kanë marrë masa për të ndaluar importin dhe përdorimin e këtyre kamerave, pavarësisht nga presioni ndërkombëtar për të respektuar standardet e të drejtave të njeriut.
Kamerat vëzhguese, por edhe të tjera kanë një çmim më të lirë në Kinë krahasuar me vendet tjera. Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, shihet se ato blihen në sasi të vogla edhe online me postë nga persona individualë. /Demokracia.com