Kosova kryen stërvitjen e fundit para ndeshjes me Spanjën, Berisha stërvitet i diferencuar

- in Sport

Kombëtarja e Kosovës e ka kryer stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Kombëtares së Spanjës.

“Dardanët” kanë stërvitur pa ndonjë ngarkesë të madhe fizike në stadiumin “La Cartuja” të Sevillës, aty ku nesër do të vihen përballë Kombëtares spanjolle që drejtohet nga Luis Enrique.

Atmosfera tek futbollistët para kësaj ndeshje është shumë e mirë, derisa motivi maksimal. Valon Berisha në stërvitjen e sotme ka bërë ushtrime më të lehta i diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit.

Para stërvitjes, përzgjedhësi Bernard Challandes në konferencën për media ka thënë se Kosova do të jetë shumë e motivuar për këtë ndeshje, para se gjithash për shkak të vlerave që ka ekipi spanjoll, që pa dyshim është një ndër Kombëtaret më të mira në botë.

“E dimë që nuk do të jetë lehtë as ndaj Spanjës, por për ne do të jetë nder të luajmë ndaj një ekipi kaq të madh. I kam parë ndeshjet e Spanjës. Jemi këtu për rezultat pozitiv, por për të arritur këtë duhet të shënojmë. Unë menaxhoj një ekip shumë të mirë me lojtarë shumë të motivuar që duan të japin më të mirën për vendin e tyre. Gjatë tërë kësaj kohe kemi bërë progres dhe ndeshja kundër Spanjës është një mundësi e mirë për të treguar progresin konstant”, ka thënë ndër të tjera Challandes.

Ndërkaq, mesfushori Hekuran Kryeziu theksoi se tashmë e kanë lënë pas shpinës humbjen e pësuar nga Suedia dhe i gjithë fokusi është te sfida e nesërme.

“Ka qenë një lojë shumë e vështirë me Suedinë por tani shikojmë përpara. Është kënaqësi me qenë në Spanjë dhe të luajmë kundër një prej Kombëtareve më të mira në botë dhe pa dyshim do ta japim maksimumin tonë në fushë”, tha Kryeziu./KP